“Uluni bashkë”- “me Rugovën jam taku 3 herë në dhomën e tij në Rambuje”: Disa nga mesazhet që dha Thaçi për spektrin politik

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një tryezë të përbashkët mes pozitës dhe opozitës për të arritur marrëveshje rreth çështjeve me rëndësi strategjike për vendin.
Në një intervistë për “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Thaçi ka thënë se partitë politike duhet të dakordohen për zotime të përbashkëta në fushën e sigurisë nacionale, reformave demokratike dhe asaj elektorale.
Duke përmendur disa mundësi për tejkalimin e krizave politike, ai ka dhënë disa mesazhe unifikuese për spektrin politik të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se për negociatat e Rambujesë dhe Vjenës politika kosovare ka qenë unike.
“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë ai.
Në rrëfimin e tij, ai ka treguar se si edhe në kohërat më të rënda lidershipi i Kosovës ka bashkëpunuar.
Ai ka përmendur edhe unitetin e spektrit politik për negociatat e Vjenës, të cilat njihen si bisedimet për statusin final të Kosovës.

Lexo edheGucati kritikon Qeverinë Kurti: Asnjë kërkesë e veteranëve nuk është realizuar
Ish-presidenti ka vlerësuar se edhe si lider i opozitës aso kohe punonte për interesim nacional.
“Kosova u zotua të ndërtojë shtet demokratik, me kushtetutë dhe ligje moderne. Shumica absolute parlamentare mbështeste procesin. Në shërbim të unitetit politik, si lider opozite, u pajtova që zgjedhjet e rregullta lokale të vjeshtës së vitit 2006 të shtyhen për një vit. Në qershor 2007, nga ndërkombëtarët u vendos që bisedimet për statusin politik të vazhdonin edhe për gjashtë muaj. Filluam të diskutojmë: a duhet të organizojmë zgjedhjet e rregullta të përgjithshme, apo përsëri në emër të “unitetit politik” të shtyheshin për kohë të pacaktuar? Atyre që ishin në pushtet iu leverdiste shtyrja. Edhe disa nga ndërkombëtarët lobonin, në veçanti kreu i UNMIK-ut. Filloi të flitej aty-këtu edhe për mundësinë e krijimit të një lloj “Asambleje Kushtetuese”. Ato tri vite (2004-2007), institucionet kishin kaluar nëpër ndryshime të mëdha kadrovike. Krijimi i Asamblesë Kushtetuese do të ishte gabim, sepse paraqiste mohim të institucioneve të zgjedhura nga vota qytetare. Kategorikisht isha kundër”, ka deklaruar Thaçi.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për bashkëpunimin e delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe raportet e tij me ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Ai ka bërë e dije se ish-presidentin Rugova gjatë konferencës e kishte takuar tri në dhomën e tij.
“Me Rugovën, me ftesën e tij, kisha zhvilluar tri takime, në Kështjellën e Rambujesë; më ftonte në dhomën e tij në mbrëmje, kur të tjerët po darkonin e disa vazhdonin edhe me ndonjë gotë alkooli apo pirje duhani. Më tha: “Po më duhet me pasë pak kujdes prej këtyre të mive, po flasin kapak si tepër nëpër korridore, syri dhe shpirti i keq është çdo kund, po ti grahi me kërkesat tuaja, unë jam qaty”, ka deklaruar Thaçi.












