Profesoresha e Ekonomikut, Justina Pula-Shiroka, ka dorëzuar dorëheqjen nga pozita e Shefes së Forumit të Gruas në PDK. Në një bisedë të shkurtër për Express, Pula-Shiroka ka thënë se moti ka ndodhur një gjë e tillë. Ndërkohë, zyrtarët e PDK’së nuk kanë dashur të komentojnë më shumë këtë lëvizje të zyrtares partiake. Madje, Basri Musmurati ka thënë se një informacion i tillë nuk është i saktë.
Justina Pula-Shiroka, përpos pozitës së profesoreshës në UP, së fundmi është bërë edhe anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Por, duket se Pula-Shiroka ka dhënë dorëheqje prej pozitave partiake që ka mbajtur në PDK.
Ajo e ka dorëzuar letrën e dorëheqjes prej pozitës së Shefes së Forumit të Gruas së PDK’së.
Në një bisedë të shkurtër për Express, Pula-Shiroka ka thënë se një gjë e tillë ka ndodhu moti. Por, nuk ka sqaruar kohën kur ka dhënë dorëheqje dhe çka ka ndodhur me dorëheqjen e saj. Nuk ka treguar as nëse nuk i është pranuar dorëheqja.
“Moti ka ndodhur. Faleminderit shumë…”, ka thënë zyrtarja e deritashme e PDK’së, kur është pyetur se pse ka dhënë dorëheqje prej Forumit të Gruas së PDK’së.
Ajo e ka ndërprerë lidhjen telefonike. Nuk ka pranuar pyetje se pse ka ofruar dorëheqjen dhe as motivin që e ka çuar deri te ky vendim.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së, Bastri Musmurati, ka kërkuar nga Gazeta Express të merret me tema të tjera. E jo me dorëheqjet në PDK’së.
“Mos u merrni me kësi temash. Nuk është e saktë”, ka thënë Musmurati për Express.
Sikurse Pula-Shiroka, edhe Musmurati e ka ndërprerë telefonin dhe nuk ka dhënë detaje të tjera.
Para se të bëhet Shefe e Grave të PDK’së, Justina Pula ka mbajtur pozita të rëndësishme në Qeveri e parti. Ka qenë deputete e PDK’së dhe Ministre në Qeverinë e Hashim Thaçit.



