Tryezë për biodiversitetin: Sfida kryesore e Kosovës mbetet zbatimi i politikave

Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm në zhvillimin e kornizës ligjore dhe politike për mbrojtjen e mjedisit dhe qeverisjen e biodiversitetit, por sfida kryesore vazhdon të mbetet zbatimi efektiv i këtyre politikave.
Kështu u tha në tryezën “Fuqizimi i Zbatimit të Agjendës së Gjelbër në Kosovë – Nga Dialogu në Veprim: Avancimi i Qeverisjes së Biodiversitetit në Kosovë”, ku u diskutua për sfidat dhe mundësitë në zbatimin e shtyllës së biodiversitetit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Themeluesja e Sustainability Leadership Kosovo, Indira Kartallozi, tha se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e politikave mjedisore, por te zbatimi i tyre.
“Sfida kryesore e Kosovës nuk është mungesa e politikave mjedisore, por zbatimi i tyre, dhe këtë e dimë të gjithë. Ky është përfundimi kryesor, politikat ekzistojnë, angazhimet ekzistojnë, potenciali është shumë i madh dhe real. Kam takuar shumë organizata, si dhe individë nga ministria, dhe është e qartë se vullneti, potenciali dhe ekspertiza ekzistojnë. Por ndikimi që po arrijmë mbetet i kufizuar. Ajo që na tregon evidenca gjatë gjithë këtij procesi është se koordinimi është faktori kyç. Nuk jemi shumë të mirë në koordinim, jo vetëm ne si organizata joqeveritare, por edhe në koordinimin mes OJQ-ve, institucioneve publike dhe institucioneve të tjera. Dhe këtu dua të përfshij edhe sektorin privat, sepse edhe ai është një palë shumë e rëndësishme, jo vetëm institucionet publike. Agjencitë, institucionet, ministritë dhe komunat shpesh nuk koordinohen dhe nuk komunikojnë mjaftueshëm mes vete”, ka theksuar Kartallozi.
Sipas saj, koordinimi ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat mbetet një nga faktorët kyç për përmirësimin e situatës.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për mungesën e investimeve dhe financimit të qëndrueshëm për mbrojtjen dhe restaurimin e natyrës dhe biodiversitetit.

Lexo edheMinistria e Drejtësisë nis hartimin e strategjisë së re kundër dhunës
“Dhe këtu kemi investime të pamjaftueshme dhe veprime të pamjaftueshme në terren. Kjo nuk vlen vetëm për qeverinë, por edhe për organizatat e tjera, sektorin privat dhe organizatat joqeveritare. Shumica e projekteve që udhëhiqen nga organizatat e shoqërisë civile vetëm prekin simptomat e problemit. Ato nuk shkojnë në thelb të problemit për të kuptuar se çfarë nevojitet për ta rikthyer dhe rehabilituar natyrën dhe biodiversitetin. Ndërkohë, për shembull, financimi dhe investimet mungojnë. Nuk ka financim të mjaftueshëm. Shumica e politikave që kam lexuar dhe analizuar janë të mira, por atyre u mungon angazhimi për të përcaktuar një buxhet konkret, i cili është i nevojshëm për restaurimin e natyrës dhe biodiversitetit tonë. Dhe së fundmi, kemi mekanizma të papërshtatshëm dhe të paqëndrueshëm të financimit. Pra, si shtet, ne ende mbështetemi shumë në grante”, shtoi ajo.
Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive në Kosovo Women4Women (K-W4-W), Iliriana Jaka-Gashi, tha se projekti synon të zvogëlojë hendekun ndërmjet politikave të mira dhe zbatimit të tyre në praktikë.
“Qëllimi i këtij projekti është implementimi i shtyllës biodiversistetit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Në këtë projekt secila organizatë ka pas një rol të veçantë gjatë implementimit, secila organizatë sa i përket veprimtarisë dhe mësonit që ka është përfshirë në këtë projekt…Gjetje e përgjithshme është që hendeku në mes të politikave të cilat janë mira dhe zbatimit të tyre është i madh. Qëllimi është të zvogëlojmë këtë hendek. Për fat të keq në Kosovë nuk është e vetmja fushë ku e kemi këtë hendek. Pothuajse në të gjitha ligjet i kemi hendeqet dhe qalaimet në zbatim. Dhe mendojmë se përmes dialogut mund të arrijmë qëllimin”, ka thënë Jaka-Gashi.












