Shqipëria lë pas Kosovën në PISA 2025, kryeson rajonin në matematikë dhe shkencë, por mbetet nën mesataren e OECD-së

Nxënësit 15-vjeçarë në Shqipëri vijojnë të mbeten dukshëm pas mesatares së vendeve të OECD-së në aftësitë bazë, ndonëse rezultatet e PISA 2025 e pozicionojnë vendin më mirë se disa prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në matematikë dhe shkencë.
Sipas raportit më të fundit “PISA 2025”, publikuar nga OECD, Shqipëria mori mesatarisht 435 pikë në shkencë, 408 pikë në lexim dhe 433 pikë në matematikë. Për krahasim, mesatarja e OECD-së ishte përkatësisht 482, 461 dhe 463 pikë. Diferenca e Shqipërisë me OECD-në arrin në 47 pikë në shkencë, 53 pikë në lexim dhe 30 pikë në matematikë.
PISA 2025 përfshiu më shumë se 760 mijë nxënës 15-vjeçarë, që përfaqësojnë rreth 33 milionë të rinj në 91 vende dhe ekonomi. Shkenca ishte fusha kryesore e testimit, krahas leximit, matematikës dhe një vlerësimi të ri për të nxënit në botën digjitale. Në tërësi, OECD konstaton se pas rënies së fortë të rezultateve në vitin 2022, performanca në shumë vende ka ngecur ose ka vijuar të dobësohet.
Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor në matematikë
Në krahasimin me vendet e Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në PISA 2025, Shqipëria paraqitet relativisht më mirë, sidomos në matematikë.
Me 433 pikë në matematikë, Shqipëria ka rezultatin më të lartë mes vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor. Serbia mori 417 pikë, Mali i Zi 411, Maqedonia e Veriut 380 dhe Kosova 350 pikë. Bosnja dhe Hercegovina nuk figuron mes pjesëmarrësve në PISA 2025.
Edhe në shkencë, Shqipëria është në krye të këtij grupi, me 435 pikë, po aq sa Mali i Zi. Serbia kishte 429 pikë, ndërsa diferenca zgjerohet ndjeshëm me Maqedoninë e Veriut, me 378 pikë, dhe Kosovën, me 357 pikë.
Pamja ndryshon në lexim. Mali i Zi, me 418 pikë, dhe Serbia, me 415 pikë, rezultojnë më mirë se Shqipëria, e cila mori 408 pikë. Pas saj renditen Maqedonia e Veriut me 357 dhe Kosova me 340 pikë.
Nëse krahasimi zgjerohet edhe me vendet e tjera të rajonit, diferencat bëhen më të dukshme. Kroacia mori 476 pikë në shkencë, 453 në lexim dhe 455 në matematikë, ndërsa Sllovenia 484, 445 dhe 460 pikë. Greqia ishte shumë pranë Shqipërisë në shkencë, me 434 pikë, por më lart në lexim, me 423 pikë; në matematikë, Shqipëria kishte 9 pikë më shumë se Greqia.
Një tjetër tregues që evidenton hendekun me sistemet më të zhvilluara është pesha e nxënësve me rezultate shumë të larta dhe shumë të ulëta. Vetëm 1.9% e nxënësve shqiptarë rezultuan ndër performuesit më të mirë në të paktën një nga tri fushat kryesore, kundrejt 11.9% mesatarisht në OECD. Ndërkohë, 27.8% e nxënësve shqiptarë rezultuan nën nivelin bazë 2 në të tre fushat, kundrejt 19.7% në OECD.
Vajzat më mirë në shkencë dhe lexim, djemtë lehtë përpara në matematikë
Rezultatet tregojnë edhe diferenca të forta gjinore. Vajzat shqiptare morën mesatarisht 443 pikë në shkencë, kundrejt 426 pikëve të djemve, një diferencë prej 17 pikësh.
Hendeku është edhe më i madh në lexim: vajzat shënuan 423 pikë dhe djemtë 391, ose 32 pikë diferencë në favor të vajzave. Në matematikë situata përmbyset, por diferenca është e vogël: vajzat morën 431 pikë dhe djemtë 435 pikë.

Lexo edheTahiri kritikon Kurtin, Abdixhikun e Ramën: Çfarë po ju ndodh liderëve shqiptarë me kaq shumë dozë autokratike?
Rikthim i fortë nga në krahasim me rezultatet e 2022
Krahasimi me rezultatet e mëparshme jep një sinjal shumë pozitiv. Në PISA 2022, Shqipëria kishte marrë vetëm 368 pikë në matematikë, 358 në lexim dhe 376 në shkencë. Në vitin 2018, rezultatet kishin qenë përkatësisht 437, 405 dhe 417 pikë.
Në raport me vitin 2018, tabloja është shumë më e qëndrueshme, matematika në 2025 është vetëm 4 pikë më poshtë se në 2018, leximi është 3 pikë më lart, ndërsa shkenca është 18 pikë më lart. Rezultatet bruto, pra, sugjerojnë se rënia jashtëzakonisht e fortë e vitit 2022 është zhbërë pothuajse tërësisht.
Në PISA 2025, norma e pjesëmarrjes së shkollave në Shqipëri ishte vetëm 76%. Shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikueshëm për PISA nuk u kontaktuan dhe, për rrjedhojë, nuk morën pjesë në testim. OECD vëren se këto shkolla kanë gjasa të jenë në mënyrë disproporcionale në zonat rurale dhe me kushte më të pafavorshme socio-ekonomike, ku historikisht rezultatet kanë qenë më të ulëta.
Për këtë arsye, OECD e ka vendosur Shqipërinë në kategorinë e vendeve me “raportim të kufizuar” dhe nuk publikon për të krahasimin zyrtar të trendit 2022-2025. Sipas organizatës, mungesa e plotë e shkollave të vogla krijon një boshllëk në mbulimin e kampionit që nuk mund të korrigjohet plotësisht statistikisht.
Madje OECD llogarit se, në një skenar të pafavorshëm, rezultati mesatar real në shkencë për Shqipërinë mund të ishte deri në 428 pikë, në vend të 435 pikëve të raportuara.
Edhe rezultati i vitit 2022 kishte probleme të veçanta interpretimi. Në raportin e atij viti, OECD paralajmëronte se nxënësit shqiptarë kishin treguar ndjeshëm më pak përpjekje gjatë testimit krahasuar me vitin 2018 dhe kishte indikacione të qarta se një pjesë e tyre nuk ishin angazhuar seriozisht me testin dhe pyetësorin. Për këtë arsye edhe rezultatet e dobëta të 2022 duhej të interpretoheshin me kujdes.
Hendeku me OECD-në mbetet problemi kryesor
Përtej kufizimeve metodologjike, PISA 2025 jep një sinjal të qartë për pozicionin e Shqipërisë. Vendi paraqitet më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në matematikë ka rezultatin më të lartë të grupit. Megjithatë, hendeku me mesataren e OECD-së mbetet i konsiderueshëm në të tri fushat dhe është veçanërisht i madh në lexim.
Në këtë kuptim, rezultati i vitit 2025 nuk mund të lexohet ende si provë statistikisht e konfirmuar e një përmirësimi të fortë të arsimit shqiptar ndaj vitit 2022. Por ai tregon se niveli i pikëve të matur është kthyer afër ose mbi atë të vitit 2018 në dy nga tri fushat, ndërsa sfida kryesore mbetet afrimi me standardet e vendeve të OECD-së.












