Tre traktorë dyshohet se hynë nga Serbia me mallra kontrabandë, sekuestrohen mbi 10 mijë euro mallra në Ranillug
Dogana e Kosovës dhe Policia kanë parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të mallrave në fshatin Korminjan të komunës së Ranillugut, ku janë ndaluar tre traktorë me rimorkio të improvizuara dhe janë sekuestruar mallra me vlerë mbi 10 mijë euro.
Sipas njoftimit të përbashkët të Doganës dhe Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar më 5 nëntor, në kuadër të planit operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, pas informacioneve operative për lëvizje të dyshimta në zonën kufitare, transmeton lajmi.net.
Gjatë operacionit, njësitet policore kanë vendosur dy prita dhe kanë arritur të ndalojnë tre traktorë të tipit “Rakovica”, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia, nga drejtimi i fshatit Konçul, duke shfrytëzuar rrugë malore dhe alternative drejt Korminjanit.
Në këtë rast janë ndaluar edhe tre persona të dyshuar, shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandimin e mallrave.
Gjatë kontrollit të automjeteve, autoritetet kanë zbuluar dhe sekuestruar 144 arka me birra të markave “Heineken”, “Tuborg” dhe “Zaječarsko”, 250 kilogramë mish të bluar, dy thasë me suxhuk dhe 324 pula të gjalla.
Në mesin e mallrave të sekuestruara kishte edhe pajisje elektronike, përfshirë dy printerë profesionalë, shtatë pajisje të rrjetit “MikroTik” dhe gjashtë monitorë kompjuteri me madhësi 24 inç.
Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet paraprakisht të jetë mbi 10 mijë euro, ndërsa shuma përfundimtare do të përcaktohet pas vlerësimit nga autoritetet kompetente.

Lexo edheKushtetuesja konstaton shkelje për tejzgjatjen e një kontesti pronësor prej 23-vjetësh
Përveç mallrave, janë ndaluar edhe tre traktorët dhe rimorkiot që dyshohet se janë përdorur për transportimin e tyre.
Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Rajonale të Kufirit – Jugu.
Dogana dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë bashkëpunimin në parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera të kundërligjshme përgjatë vijës kufitare./lajmi.net/



