Mërgim Cahani, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Gjirafës thotë se epidemia e COVID-19 e ka ndryshuar kompaninë e tij dhe se po përshtat me rrethana të reja. Gjatë masave kufizuese, thotë z. Cahani janë rritur shitjet online ndërsa pjesë të tjera shërbimi që ofron Gjirafa janë goditur.
“Ne si kompani kemi disa shërbime, shitjen online dhe pjesën e marketingut. Disa janë prekur, ndërsa shitjet online kanë pasur rritje të dukshme kohëve të fundit. Në një pjesë jemi mirë, ndërsa në pjesën tjetër kemi ndikim negativ”, tha ai.
“Shteti ka marrë disa iniciativa, por besoj se ende kanë me marrë iniciativa të tjera. Ne kemi filluar të përdorim një term, jemi duke vendosur në funksion disa motorë individualë që nuk e kemi ditur që i kemi pasur. Ekipi është përshtatur. Vetëm këtë javë do të linçojmë tri projekte të reja”, shtoi z. Cahani.
Themeluesi i Gjirafa tregon për “Euronews Albania” se si dështoi në idenë fillestare për krijimin e kompanisë dhe se mësimi që mori ishte se duhej të punonte në grup dhe jo i vetëm. “Patëm dështuar në 2013 dhe kanë qenë shumë arsye që çuan në dështim. Kryesorja ishte se në atë kohë kam munduar se të gjitha mund t’i bëja vetë se kam studiuar shkenca kompjuterike dhe biznes. Por, pas një kohe e pashë që ishte e pamundur që të krijohet diçka që ka vlerë dhe impakt vetëm. Duhet një ekip që të çosh përpara një vizion”, u shpreh z. Cahani.
Biznesi i tij është i shtrirë në të gjitha trojet shqiptare në rajon por edhe në vendet e diasporës. “Shërbime japim për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë. Për momentin në Shqipëri jemi aktiv por jo në masën që ne kemi pasur dëshirë që të jemi. Arsyeja kryesore është se rritja e biznesit në Kosovë ka qenë aq e shpejtë sa që na ka marrë vëmendjen”, përfundoi kreu i Gjirafa.