Thaçi i adresohet Qeverisë, numëron sfidat edhe aty
Presidenti Hashim Thaçi sot i është adresuar Qeverisë së Kosovës në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë. Pas disa konferencave që i pari i vendit ka mbajtur së fundmi, ai ka numëruar sfidat nëpër të cilat ka kaluar vendi në këtë periudhë edhe para Qeverisë dhe kryeministrit Ramush Haradinaj
Sipas Presidentit Hashim Thaçi, trendet e zhvillimit janë pozitive ndonëse shtetndërtimi nuk ka qenë i lehtë.
“Vetëm para 10 viteve veriu ishte në dorë të strukturave ilegale, tash situata është ndryshe. Kemi mbajtur zgjedhje, kemi instaluar policinë atje”.
Presidenti Thaçi ka kërkuar që të plotësohen kushtet e BE-së nga të gjithë. Ai shtoi se janë të mirëseardhura përpjekjet për të gjetur zgjidhje për demarkacionin.
“Përmbushja e të gjitha kushteve për vizat, krijimi i ushtrisë si dhe ruajtja e miqësisë me ndërkombëtarët janë synimet tona. Janë të mirëseardhura përpjekjet për të gjetur zgjidhje për demarkacionin”.
Lexo edheMorgan Freeman në shënjestër të Serbisë pasi foli për gjenocidin në Srebrenicë
Thaçi tha se Kosova ka hyrë në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe vendi është shembull për marrëdhënie të mirë me fqinjë.
Për Gjykatën Speciale, ai tha se Kosova do të përmbushë detyrat e saj në mënyrë që të mos rrezikojë partneritetin me aleatët e saj.
“Edhe sa i përket Gjykatës Speciale, ani pse pa të drejtë historikisht, Kosova ka marrë obligimet e veta dhe do t’i kryejë në përpikëri me marrëveshjet që kemi arritur. Ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me ndërkombëtarët”, ka thënë Thaçi.














