Tërmet i fuqishëm prej 6.8 ballësh në Filipine

Një tërmet i fuqishëm e ka goditur të dielën në mëngjes pjesën jugore të Filipineve, afër qytetit Davao. Lajmin e bëri të ditur Instituti Amerikan i Gjeologjisë.
Ky rajon është goditur disa herë nga tërmetet në muajt e fundit. Pavarësisht fuqisë së dridhjes, autoritetet nuk kanë lëshuar alarm për cunami.
Epiqendra e këtij tërmeti të fuqishëm ishte 61 kilometra në jugperëndim të qytetit Davao, në ishullin Mindanao, ndërsa thellësia e tij ishte 28 kilometra nën sipërfaqen e tokës.
Qendra Paralajmëruese e Cunameve në Paqësor tha se, mbështetur në të dhënat e tanishme, nuk ekziston ndonjë rrezik për cunami.

Lexo edheSërish lëkundje sizmike në Shqipëri!
Autoritetet deri më tash nuk kanë raportuar për viktima apo dëme material, ndonëse tërmetet me fuqi të këtillë mund t’i dëmtojnë ndërtesat.
Ky rajon u godit nga tri tërmete në tetor dhe një tjetër në nëntor, me ç’rast mbetën të vdekur së paku pesë persona.
Filipinet shtrihen në të ashtuquajturën “unazë e zjarrtë” e Paqësorit, e cila është rajoni me aktivitetin më të lartë sizmik në planet, prandaj goditen shpesh nga tërmetet, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.














