Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për një masë të re kufizuese që hyn në fuqi nga nesër, më 23 korrik, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Sipas vendimit të Ministrisë, ndalohet qarkullimi i automjeteve me peshë mbi 15 ton në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale, në orarin prej 11:00 deri në 17:00, dhe kjo ndalesë do të vlejë deri më 28 korrik.
“Ky vendim është marrë për të mbrojtur infrastrukturën rrugore dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit gjatë orëve më të nxehta të ditës,” ka thënë Durmishi.
Ai ka shtuar se vendimi mund të ndryshohet në varësi të kushteve klimatike gjatë ditëve në vijim.

