Takohen Konjufca e Ademi, diskutojnë për ndeshjen Sllovaki – Kosovë

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një vizitë pune te zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ku është diskutuar për përgatitjet e Kombëtares së Kosovës për ndeshjen kundër Sllovakisë në kuadër të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026.
Sipas njoftimit të Ademit, në këtë takim morën pjesë edhe anëtari i Komitetit ekzekutiv të FFK-së, Samir Ujkani, si edhe menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala. Gjatë takimit, ata e informuan Konjufcën për përgatitjet rreth ndeshjes së rëndësishme si dhe për organizimin e udhëtimit të ekipit drejt Bratisllavës.
Konjufca i përgëzoi përfaqësuesit e FFK-së për rezultatet e arritura deri tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjell fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze në arenën ndërkombëtare.

Lexo edheAdemi takohet me Konjufcën, flasin për përgatitjet rreth ndeshjes kundër Sllovakisë
Ai gjithashtu theksoi se institucionet shtetërore do të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës në këtë rrugëtim drejt realizimit të synimeve në garat ndërkombëtare. Ndërkaq, Ademi falënderoi zëvendëskryeministrin për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve ndaj ekipit kombëtar.














