Megjithatë, sipas Tahirit, pas kërkesave dhe vlerësimeve të ekspertëve që e përcjellin procesin gjyqësor në Hagë, PDK-ja kishte pranuar ta rishqyrtonte këtë çështje.
Ai, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se kjo është një çështje që e tejkalon partinë dhe interesat politike, pasi, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po përballen me një betejë kombëtare.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka përcjellë informacionin përmes komunikatave, por edhe përmes ushtrueses së detyrës së kryetares, Vlora Çitaku, ka pasur paraqitje publike. Por edhe kolegë të tjerë kanë pasur paraqitje që kanë dhënë vlerësime dhe sqarime rreth kësaj çështjeje që është e ndjeshme, e rëndësishme dhe domethënëse. Është një pozicion jo i lakmueshëm dhe i lehtë i Partisë Demokratike të Kosovës, i Kryesisë së PDK-së dhe lidershipit, mirëpo edhe për secilin aktivist e anëtar të PDK-së, sepse kemi të bëjmë me një çështje që e tejkalon PDK-në. Pra, ligji, Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë në betejë kombëtare, jo në betejë politike”, u shpreh Tahiri.
Ai tha se pas 16 shtatorit, të cilën e cilësoi si ditë të zezë për kombin, PDK-ja iu përgjigj një kërkese që, sipas tij, kishte ardhur nga qytetarët dhe ishte vlerësuar nga persona kompetentë si bazë për ndërmarrjen e një iniciative ligjore.
“Pas datës 16 shtator, një ditë e zezë për kombin tonë, një padrejtësi historike e përjetuar nga të gjithë ne, i jemi përgjigjur një kërkese që është derivuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është vlerësuar nga njerëzit kompetentë se ka qenë i duhur si akt juridik, që të merren veprimet e mundshme e të nevojshme për të bërë një iniciativë ligjore. Si PDK e kemi bërë dhe kemi gjetur mbështetje nga deputetë, për të cilën jam shumë falënderues”, deklaroi ai.
Lexo edheDosja e vrasjes së Arlinda Zekajt: Fotografimet, videot dhe pretendimet për mosndërhyrje gjatë sulmit – çfarë dyshohet se bëri ish-vjehrra e saj?

