Dosja e vrasjes së Arlinda Zekajt: Fotografimet, videot dhe pretendimet për mosndërhyrje gjatë sulmit – çfarë dyshohet se bëri ish-vjehrra e saj?
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur një sërë pretendimesh të rënda ndaj Nurije Sylajt, ish-vjehrrës së Arlinda Zekajt, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit lidhur me vrasjen e 25 tetorit 2026 në Vitomiricë të Pejës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Nurije Sylaj dyshohet se ka pasur rol në përcjelljen e lëvizjeve të viktimës dhe në lehtësimin e planit të dyshuar për vrasjen e saj.
Në mesin e veprimeve që Prokuroria ia atribuon asaj është fotografimi dhe incizimi i vazhdueshëm i Arlinda Zekajt, që nga 22 tetori 2026, kur viktima ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare.
Fotografitë dhe videot, sipas Prokurorisë, janë ruajtur në telefonin e saj, ndërsa në të njëjtën pajisje është gjetur edhe një video e dërguar nga Driton Sylaj përmes WhatsApp-it, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet.
Prokuroria dyshon se këto materiale janë përdorur për përcjelljen dhe shkëmbimin e informacioneve lidhur me vendndodhjen dhe lëvizjet e viktimës.
Një tjetër pretendim i rëndë ka të bëjë me ditën e vrasjes. Sipas dosjes, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj e sulmoi Arlinda Zekajn me sëpatë.
Prokuroria pretendon se ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta parandaluar apo ndërprerë sulmin.
Lexo edhePresidentja Shiroka Pula: Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri
Po ashtu, sipas organit të akuzës, pas vrasjes ajo dyshohet se ka dhënë deklaratë me qëllim të devijimit të hetimeve, duke pretenduar se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se vetë kishte qenë pa ndjenja. Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nuk përputhen me pamjet e kamerave të sigurisë.
Në dosje përmenden edhe komunikimet e saj me Driton Sylajn, ku Prokuroria pretendon se shqetësimi i tyre kryesor ishte mundësia e zbulimit të bashkëpunimit dhe përfshirjes në rast.
Gjithashtu, organi i akuzës ka përmendur komunikime kërcënuese dhe presion ndaj dëshmitares A.S. dhe një të miture, duke i konsideruar këto si rrethana që mund të ndikojnë në dëshmitarët dhe rrjedhën e procedurës.
Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nurije Sylajt.
Megjithatë, të gjitha këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në fazën e hetimeve dhe duhet të vlerësohen nga gjykata. Përgjegjësia penale e të dyshuarës do të përcaktohet me vendim gjyqësor. /Lajmi.net/

