Sot bëhen nëntë vjet nga sulmi me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës – një ngjarje e rëndë që tronditi vendin dhe që, sipas ish-kryeministrit Isa Mustafa që drejtonte Kosovën atë kohë, shënoi një kthesë të errët në rrugëtimin e shtetit drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Sulmi kishte ardhur pak ditë para se në Kuvend të diskutohej, ajo që do të bëhej arsye për protestë, e për rrëzim e mbajtje të pushtetit – diskutimet për Demarkacionin me Malin e Zi.
Sulmi drejtuar Kuvendit të Kosovës atëkohë përpos që shkaktoi dëme të mëdha infrastrukturore në objektin e institucionit të parë vendimmarrës, e bëri vendin “lëmsh”, një problem që s’do të shuhet ndër vite e do kujtohet si shenjë e zezë në shtetndërtim.
Në një prononcim për lajmi.net, ish-kreu i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa tha se sulmi me zollë, ashtu si edhe bombat e tjera të hedhura në institucione dhe në shtëpi private, kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në izolimin dhe regresin politik të Kosovës.
“Ndikimi i gjuajtjes me zollë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës para 9 viteve, sikurse edhe i hedhjes së bombave dhe bombave molotov në institucione dhe në shtëpi private, e solli vendin këtu ku jemi sot. Nga një shtet që ishte në rrugë të një perspektive të shtruar evropiane dhe euroatlantike, në një shtet të izoluar, pa perspektivë ekonomike dhe integruese,” deklaron Mustafa.
Ai ka kujtuar një moment domethënës nga ajo kohë, gjatë një vizite me një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian në ndërtesën e Qeverisë, e dëmtuar rëndë nga sulmet.
“Më kujtohet një koment i një komisioneri të BE-së, derisa zbrisnim shkallëve të ndërtesës së Qeverisë. Xhamat ishin të thyer deri në katet e larta, kurse ai me sarkazëm tha “ua paskan pikturuar shumë interesant këta xhama”, tregon ish-kryeministri për lajmi.net.
Sipas Mustafës, dështimi më i madh pas sulmit lidhet me reagimin e institucioneve të drejtësisë, siç thotë ai, u dorëzuan para presionit të rrugës.
“Sa u përket organeve të drejtësisë, ato nuk e bënë punën e vet si duhet. Iu nënshtruan presionit të rrugës. Përgjegjësia u konvertua. Në vend që të përgjigjen ata që ushtruan terror, u kërkua përgjegjësi nga drejtësia dhe policia”, thekson Mustafa.
Ai shpreh shqetësim të thellë edhe për reagimin e qytetarëve, të cilët, sipas tij, i shpërblyen me vota ata që qëndruan pas këtyre veprimeve.
“Çfarë është edhe më e rëndë, këto veprime qytetarët i shpërblyen me mbi 50 për qind të votave, përfshirë edhe pajën me rreth 100 mijë vota të LDK-së që ua çoi Vjosa Osmani, duke e tradhtuar partinë e vet, LDK-në,” ka thënë Mustafa.
Në fund, ai thekson se problemi kryesor i vendit nuk është vetëm politik, por më së shumti lidhet me mungesën e vetëdijes shtetërore.
“Mendoj se ne, para së gjithash, kemi problem me vetëdijen tonë shtetërore,” përfundon Mustafa.
Kujtojmë se Mustafa si kryeministër kishte reaguar përmes një postimi në Facebook me 5 gusht të vitit 2016 mbi sulmin në Kuvend duke e cilësuar si sulm ndaj pavarësisë së Kosovës.
Postimi i Mustafës në vitin 2016:
“Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë. Ftoj organet e rendit të punojnë në zbardhjen e këtij rasti shumë të dëmshëm dhe tepër të shëmtuar si dhe qytetarët ta japin ndihmesën e tyre. Kryerësit e kësaj vepre duhet të dalin para drejtësisë”, përfundonte postimi i Mustafës.
Më 30 gusht të vitit 2016, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se në lidhje me rastin janë arrestuar gjashtë aktivistë, të gjithë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./Lajmi.net/