back to top
Tuesday, August 5, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditRasti i kanosjes nga Klinaku e Selmani – Kurti ka dëshmuar gati...

Rasti i kanosjes nga Klinaku e Selmani – Kurti ka dëshmuar gati dy muaj më parë: S’ndihemi i rrezikuar

Të ngjajshme

Më 10 qershor 2025, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dëshmuar para Policisë në cilësinë e të dëmtuarit/dëshmitarit lidhur me rastin ku Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani akuzohen për kanosje ndaj tij. Aty thuhet se Kurti ka deklaruar se nuk ndihet i kërcënuar apo rrezikuar.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Kurti para zyrtarëve policorë ka deklaruar se fushata e shpifjeve dhe dezinformimi është i madh, por që beson në përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e organeve të rendit dhe sigurisë.

“I dëmtuari – dëshmitari, Albin KURTI, para zyrtarëve policor, me dt. 10.06.2025, në lidhje me postimet dhe kërcënimet për vrasjen e tij nga të pandehurit e lartcekur, për shkake të veprimeve të tija në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, deklaron se “Fushata e shpifjeve dhe dezinformomi është tejet i madhe. Nga ajo nxiten e shkaktohen kërcënime nëpër rrjete sociale të cilat mandej përforcohen në emisione televizive. Megjithëkëtë unë besoj në përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e organeve të rendit dhe sigurisë andaj, nuk ndjehem i kërcënuar apo i rrezikuar”, citohet deklarimi i Kurtit në aktakuzë.

Kurti kishte shtuar se beson që Prokuroria do t’i trajtojë rastet sipas legjislacionit në fuqi dhe në dobi të interesit publik.

“Besoj që Prokuroria e shtetit, do t’i trajtoj këto raste sipas legjislacionit në fuqi dhe në dobi të interesit publik“, citohet të ketë thënë Kurti.

Në anën tjetër, Faton Klinaku gjatë fazës së hetimeve në Prokurori Speciale më 8 nëntor 2023 ka deklaruar se nuk ka kryer vepër penale me deklarimet e tij.

“…i njëjti ka deklaruar se nuk është e vërtet se ka kryer vepër penale për të cilën dyshohet dhe se nuk e ndjehet fajtor ngase konsideron se përmbajtjet në postimet e tij në rrjetin social “Facebook” nuk janë kërcënime”, citohet deklarimi i Klinakut në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Klinaku kishte deklaruar se konsideron që përmbajtjet në postimet e tij në rrjetin social Facebook nuk janë kërcënime. Ka thënë se postimet në profilin e tij në Facebook janë të tij dhe se akoma ekzistojnë si të tilla, por se në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me kërcënim për vrasje ndaj Kurtit.

“Lidhur me postimin e tij “Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” thotë se e ka përsëritur pas publikimit të mediave pasi qe të njëjtat e kanë quajtur postimin e tij skandaloz, kërcënues dhe përveç sharjeve dhe fyerjeve në portale nga militant të “Vetëvendosjes” dhe kërcënimeve që ia kanë bërë edhe privat në “Facebook” të njëjtën e ka postuar me qëllim që me ndal opinionin të cilët e fyenin, shanin dhe kërcënonin“, thuhet në aktakuzë.

Ai ka shtuar se me këto veprime nuk ka bërë kërcënim ndaj Kurtit dhe se kurrë nuk mendon ta kërcënojë dikë.

Në aktakuzë thuhet se Nuredin Selmani gjatë hetimeve në deklaratën e dhënë në Prokurori Speciale ka deklaruar se i pranon veprimet e bëra dhe ndjen keqardhje. Ai është arsyetuar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit.

“…pranë prokurorit të çështjes, ka deklaruar se i pranon veprimet e bëra dhe ndjen keqardhje, duke u mundur ti ik përgjegjësi penale, duke u arsyetuar se kishte qenë në ndikimin e alkoolit kur kishte ndërmarr veprimet e përshkruar në dispozitivin e kësaj aktakuze”, thuhet në akuzë.

Po ashtu, Selmani sipas aktakuzës, gjatë inkuadrimit në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini, ka qenë duke konsumuar alkool kur është pyetur lidhur me postimin kërcënues ndaj Kurtit dhe mbështetjen për Klinakun, dhe se paraprakisht e kishte fshirë postimin sepse e ka kuptuar se ishte i papërshtatshëm.

“I njëjti deklaron se ashtu nën ndikimin e alkoolit pak edhe në afekt i ka thënë ato fjalë që nuk është dashtë me i thënë, për çka i njëjti ka shprehur keqardhje dhe pendohet për ato fjalë”, citohet të ketë deklaruar Selmani, duke shtuar se edhe moderatori i emisionit e ka provokuar shumë dhe në ato rrethana e ka nxjerrë jashtë kontekstit. Në fund, ka thënë se shpreh pendesë dhe se asnjëherë nuk ka dashur ta kërcënojë Kryeministrin e as dikë tjetër.

- Advertisement -

Të Fundit