“Tri hematoma në trupin e Maria Clarës mund t’i përkasin natës kritike”, eksperti: Nuk mund të konstatoj nëse ishte e vetëdijshme

Tri hematoma të konstatuara në trupin e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, të cilat dyshohet se mund të jenë shkaktuar para rënies së saj nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë-Kosovë, ishin në fokus të seancës së rigjykimit ndaj Endrit Nikës.
Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se hematomat e evidentuara në trupin e së ndjerës ishin të freskëta dhe se, bazuar në ngjyrimin e tyre, mund t’i përkisnin natës kritike.Gjatë dëshmisë, Gërxhaliu u pyet edhe nëse Maria Clara kishte qenë e vetëdijshme në momentin kritik, por tha se nuk mund të japë një konstatim të tillë.“E vetmja dëshmi që përmendet që ajo të ketë komunikuar është dokumenti numër 1 me faqen katër.
Në të cilin dokument e përmend se e njëjta nuk i ndjen krahët, është e vetmja dëshmi që mund të them. Sa i përket gjendjes së saj, ka ekzistuar edhe një raport i SHSKUK-së. Nuk është dhënë ndonjë sqarim më i detajuar, nuk mund të konstatoj se e ndjera në momentin kritik a ka pasur vetëdije apo jo”, tha ai.
Ndërkaq, prokurori Armend Hamiti e pyeti ekspertin lidhur me hematomat e konstatuara gjatë autopsisë, llojin e tyre dhe kohën e mundshme të shkaktimit, duke kërkuar të sqarohet nëse të gjitha lëndimet ishin pasojë e rënies nga lartësia.“Kur ke bërë konstatimin e hematomave, çfarë kanë qenë dhe në çfarë kohe janë shkaktuar, a kanë qenë të gjitha nga rënia nga lartësia?”, pyeti prokurori.
Në përgjigjen e tij, Gërxhaliu tha se të gjitha lëndimet ishin klasifikuar si të freskëta, por veçoi tri prej tyre, të evidentuara në regjionin e gjurit dhe kofshës, të cilat mund të mos lidhen drejtpërdrejt me lëndimet e shkaktuara nga rënia.“Lëndimet janë klasifikuar në konkluzion, të gjitha janë të freskëta, por pika gjashtë, shtatë dhe tetë janë në regjionet e përshkruara në gjurin e djathtë, në kofshën e djathtë, sipërfaqja e jashtme dhe në sipërfaqe të brendshme në gjurin e majtë e cila mund t’i ekskludoj nga lëndimet tjera të përshkruara të cilat lidhen direkt me shkarkimin e të njëjtave në momentin e rënies”, tha ai.
Lexo edheLista Studentore synon t’i rishqyrtojë marrëveshjet me Kosovën, BE-ja thotë se Serbia duhet t’i zbatojë
Për këto tri hematoma, sqarime shtesë kërkoi edhe avokati i palës së dëmtuar, Leutrim Syla, i cili e pyeti ekspertin për ngjyrimin e tyre dhe mundësinë e përcaktimit të kohës së përafërt kur ishin krijuar.“Pasi që deklaruat se i ekskludoni lëndimet apo hematomat si në pikat 6, 7, 8 dhe i keni klasifikuar si hematoma të freskëta, a mund të na sqaroni ngjyrimin e tyre dhe implikimin e tyre kohor të krijimit që ta kemi më të qartë kohën e përafërt të krijimit të tyre, edhe nëse jo tërësisht të saktë?”, pyeti ai.Gërxhaliu tha se klasifikimi i tyre si hematoma të freskëta është bërë bazuar në përshkrimin e ngjyrimit, duke shtuar se ato kishin pothuajse të njëjtën ngjyrë me hematomat e evidentuara në pjesën e pasme të trupit.
“Bazuar në përshkrimin e ngjyrimit të hematomave, i kemi klasifikuar si të freskëta dhe se ngjyra e hematomave në pikën gjashtë, shtatë dhe tetë është pothuajse e njëjtë edhe me ngjyrën e lëndimeve të përshkruara në pjesën e pasme të trupit, të cilat gjithashtu janë të shoqëruara edhe me hematomë.
Kur them të freskëta, mund t’i takojnë natës kritike”, tha ai.Seancat e radhës në rastin e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, janë shtyrë për datat 2 dhe 7 dhjetor, me fillim nga ora 13:15.Në këto dy seanca është paraparë të dëgjohet eksperti Ermal Maqedonci, në kuadër të vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor në këtë rast.Rigjykimi ndaj Endrit Nikës po vazhdon lidhur me akuzën për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray.


