Branimir Sojanoviq, zv.kryeministër i Republikës së Kosovës, Lubomir Mariq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës dhe Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim dhe Komunitete, si dhe deputetë të listës “Srpska” do t’i pezullojnë aktivitetet e tyre në institucionet kosovare nga e hëna. Vendimi është marrë të dielën në Zveçan
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Branimir Stojanoviq dhe ministrat Lubomir Mariq (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal) e Dalibor Jevtiq (Ministria për Kthim dhe Komunitete), si dhe deputetë të listës “Srpska” do t’i pezullojnë aktivitetet e tyre në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në Kuvendine Kosovës nga dita e hënë, raporton “Zeri.info”.
Vendimi është marrë në një mbledhje të listës “Srpska”, e cila është në koalicionin qeverisës me PDK-në dhe LDK-në, të dielën në Zveçan.
Sipas një komunikate të listës “Srpska”, “nga sot (e diele) e tutje ngrijmë pjesëmarrjen tonë në punën e Kuvendit të Kosovës”.
“Në interes të popullit serb dhe demokracisë, nuk pranojmë dhe kundërshtojmë dhunën politike e juridike të Kuvendit të Kosovës dhe publikisht porosisim se nuk pranojmë asnjë vendim lidhur me ‘Trepçen’, i cili merret pa marrëveshje me përfaqësuesit politik të serbëve”, thuhet mes tjerash në komunikatën që është dërguar medieve serbe, pas takimit në Zveçan, transmeton “Zeri.info”.
Ndërsa vendimin e ministrave serbë për të dalë nga Qeveria e ka konfirmuar Lubomir Mariq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Isa Mustafës, të dielën. /Zeri.info/