Njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu ka folur për rezultatin që mund të sjellin zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Spahiu në parashikimin e tij ka treguar se cilat parti do të shkojnë në balotazh dhe cilat do të kenë fitore që në raundin e parë, raporton Gazeta Blic.
Sipas tij në këto zgjedhje lokale në shumicën e komunave do të ketë balotazh.
Nga analiza e tij dhënë për “Gazeta Blic”, del që rezultati i zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur me 11 qershor të këtij viti do të sjellë rezultatet të përafërta edhe në zgjedhjet lokale.
“Mendoj se balotazhi në Prishtinë do të jetë mes VV dhe LDK, në Prizren mes LDK e VV, në Gjakovë mes AAK e VV, në Pejë mes AAK e LDK, në Gjilan mes LDK e VV, në Ferizaj mes LDK e VV, në Malishevë mes Nismës e PDK, në Drenas mes PDK e Nismës, në Podujevë mes LDK e VV, në Lipjan mes LDK e VV, në Suharekë mes AAK e LDK, në Shtime mes PDK e LDK, në Dragash mes PDK e LDK, në Istog mes LDK e AAK.
Në Obiliq mes AAK e VV, në Fushë Kosovë mes LDK e VV, në Vushtrri mes PDK e Nismës (apo AAK), në Mitrovicë mes Agim Bahtirit dhe ndonjërit nga VV, PDK, LDK”, ka deklaruar Spahiu për Gazeta Blic.
Sipas analistit politik, kandidati i Hanit të Elezit, Rukfi Suma, Bekim Jashari në Skenderaj, d AAK në Deçan e Junik si dhe kandidatët e Listës Serbe në Komunat me shumicë serbe do të kenë fitore që në raundin e parë.
“Fitore pa balotazh mendoj se do të kenë Rufki Suma në Han të Elezit, Bekim Jashari në Skenderaj, AAK në Deçan e Junik si dhe të gjithë kandidatet e Listës serbe në komunat me shumicë serbe”, ka thënë ai.
Ndryshe, subjektet politike po vazhdojnë fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 22 tetor.
Fushata do të zgjasë një muaj dhe janë certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetar komune apo për Kuvende Komunale, në komuna të ndryshme.
Në Ditën e zgjedhjeve, në 2 mijë e 505 vendvotime në të gjithë Republikën e Kosovës do të angazhohen rreth 18 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve, si dhe rreth 2 mijë anëtarë rezervë./GazetaBlic.com/