Sot nis “Defender Europe 2025”, të angazhuar 25 mijë ushtarë nga 29 shtete

Këtë të diel në Kosovë do të nisë “Defender Europe 2025”, në ushtrim i madh ushtarak udhëhequr nga Ushtria e SHBA-së në Europë dhe Afrikë
Ky ushtrim ka për qëllim të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të mbrojtur kufijtë e saj lindorë dhe për të forcuar gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërmjet aleatëve dhe partnerëve të saj.
Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesëmarrëse në ushtrimin më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.
Ai gjithashtu njoftoi se Kosova është shtet pritës i Shtabit të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikanë, si dhe forcave të armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Në këtë ushtrim janë të angazhuar 25 mijë ushtarë nga 29 shtete pjesëmarrëse.

Lexo edheParadoksale: Specialja krahason rastin e krerëve të UÇK-së me të afrikanëve që kryen gjenocid e dhunime
Këto ushtrime zhvillohen në 18 shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Finlandën, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Suedinë.
Derisa, për dy javë, Kosova do të jetë nikoqire e këtij ushtrimi ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga e hëna e deri më 9 qershor do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në prag të nisjes së këtij ushtrimi, më i madhi ndërkombëtar i drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.
Kosova është një nga shtetet që merr pjesë në këtë ushtrim, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake. Pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025” konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit të saj në strukturat e sigurisë europiane dhe ndërkombëtare./Express/














