
Kosova do të përballet sot me Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Në prag të ndeshjes, trajneri Franco Foda dhe portieri Aro Muric kanë shfaqur besim të madh për një rezultat pozitiv.
Muric është shprehur optimist për fitore, duke theksuar zhvillimin që ka bërë Kosova në vitet e fundit.
“Jam shumë i lumtur me formën time. Pres një fitore sonte. Do të bëjmë gjithçka për të marrë tri pikët. Kemi bërë progres të madh dhe kemi rastin ideal ta tregojmë këtë.”
Trajneri Foda ka konfirmuar mungesën e Lumbard Dellovës për shkak të një lëndimi, por theksoi se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe pjesa tjetër e lojtarëve janë gati për ndeshjen.
Ai iu përgjigj edhe trajnerit të Sllovenisë, Matjaž Kek, i cili kishte thënë se “humbja ndaj Kosovës nuk do të ishte fundi i botës”:
“Po luajmë në shtëpi dhe kemi vetëbesim pas fitores ndaj Suedisë. Jeta vazhdon, por ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar grupin.”
Kosova synon një fitore të madhe sonte para tifozëve të saj për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit historik në Kupën e Botës 2026.
Pas dy xhirove të para në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, Zvicra kryeson grupin me 6 pikë, pas dy fitoreve radhazi dhe një bilanci mbresëlënës golash 7:0.
Në vendin e dytë gjendet Kosova me 3 pikë, që ka shënuar një fitore dhe një humbje, me golaverazh 4:6. Pas saj renditet Suedia me 1 pikë dhe golaverazh 2:4, ndërsa në fund të tabelës është Sllovenia, gjithashtu me 1 pikë, por me diferencë më të madhe negative të golave, 2:5.
