back to top
Monday, September 15, 2025
BallinaShqiptareSi u bë që të arrihet deri te vizita e Arbëreshëve të...

Si u bë që të arrihet deri te vizita e Arbëreshëve të Italisë në Kosovë dhe bashkëpunimi me ta

Të ngjajshme

U dënua me 27 vjet burgim, ish-presidenti i Brazilit përfundon në spital

Ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, të dielën la shkurtimisht shtëpinë...

40-vjeçari Luka Modric ia dhuron fitoren Milanit ndaj Bolognas

Luka Modrić shënoi golin e tij të parë me...

Lladrovci: Qytetarët kampionë nuk votojnë me sy mshel

Ramiz Lladrovci, në tubimin e parë zgjedhor, në vendlindjen...

“Ditët e Arbëreshëve në Kosovë”, është aktiviteti më i madh që Kosova e ka ndërmarrë ndaj komunitetit Arbëresh që jetojnë në shtetin e Italisë.

Ky aktivitet kulturor që ka filluar nga 3 dhe do të zgjatë deri më 6 maj, është organizuar nën patronatin e Ministrisë se Diasporës dhe Investimeve Strategjike, që udhëhiqet nga Dardan Gashi.

Organizime të shumta, si vizita, aktivitete kulturore dhe takime të ndryshme, janë paraparë që të bëhen gjatë këtyre tri ditëve sa do të zgjasë ky aktivitet, më i madhi i bërë ndonjëherë për Arbëreshët nga shteti i Kosovës. Madje, edhe Kuvendi i Kosovës mbajti dje seancë të veçantë në nderim të tyre.

Por, nga lindi ideja për këtë organizim?

Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, teksa foli dje në seancën e Kuvendit, për nder të Arbëreshëve, tregoi se si lindi ideja për këtë organizim.

Ai tha se ideja për një organizim të tillë i kishte ardhur pas një vizite të vitit të kaluar atje, së bashku me zv/kryeministrin Fatmir Limaj dhe ministrin e qeverisë shqiptare, Pandeli Majko.

Gashi, u shpreh se Arbëreshët e Italisë janë dëshmia më e mirë se nuk ka pushtues të mirë, teksa potencoi, se ata edhe sot e kësaj dite mbeten urë lidhëse mes shqiptarëve dhe civilizimit evropian.

“Jam shumë i nderuar dhe i emocionuar, që t’ju uroj mirëseardhje sot këtu, juve miq dhe bashkëkombës nga Italia, në emër të Qeverisë së Kosovës. Gjate vizitës që kishim vitin e kaluar bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj dhe ministrin Majko, lindi ideja që t’i ftonim kryetarët e komunave arbëreshe të Italisë, për vizitë në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Gashi u shpreh se më herët mendonin se në Itali janë vetëm 15 komuna arbëreshe, por kur filluan përgatitjet që ata të vinin në Kosovë, doli që ai numër të jetë trefish më i lartë.

“Atëherë ne mendonim se janë gjithsej jo më shumë se 15 komuna arbëreshe në Itali. Por kur filluam përgatitjet bashkë me Rosarijon, doli që ky numër të jetë trefish më i madh dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur e krenar, që kaq shumë komuna banohen dhe qeverisen nga motrat dhe vëllezërit tanë arbëresh. Po aq i lumtur jam, që takimin e parë të këtij lloji, pothuajse të gjithë kryetarëve arbëresh, të organizohet nga ministria ime dhe këtu në Prishtinë, në kuvendin e Kosovës”, shtoi ministri Gashi.

Ministri i Diasporës, para Arbëreshëve e kujtoi eksodin e 1 milion shqiptarëve gjatë vitit 1999, duke thënë se edhe para 500 vjetësh, stërgjyshërit e tyre, kishin qenë të detyruar që t’i lëshojnë tokat e tyre.

Me këtë rast Gashi tha se Arbëreshët e Italisë, janë shembulli më i mirë se nuk ka pushtues të mirë, teksa i kritikoi të gjithë ata që thonë se “Perandoria Osmane ka qenë pushtetuese e mire”.

“Sot ka të atillë që tentojnë ta rishkruajnë historinë duke pretenduar se pushtimi otoman nuk ishte pushtim, por një bashkëqeverisje me një pushtues të cilin këta pretendojnë që ishte një “pushtues i mirë”. Ju jeni shembulli më i mirë dhe i gjallë se nuk ka pushtues të mirë. Se sigurisht paraardhësit tuaj nuk ikën nga të mirat që solli ky pushtues, por nga dhuna, shtypja e terrori që u ushtrua mbi ta”, ka thënë Gashi. “Pushtimi osman shkëputi shpirtërisht e fizikisht shqiptarët nga Evropa. Ju arbëresh të Italisë, duke qenë pjesë e civilizimit evropian, ishit pishtarët e rilindjes kombëtare duke u bashkuar me bashkëmendimtarët pro-evropian në Shqipëri, për të çliruar toka shqiptare dhe rikthyer popullin tonë në familjen evropiane”.

Gashi u shpreh se shumë shpejt ëndrra e Skënderbeut do bëhet realitet, “edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”.

“Edhe sot, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nisur rrugëtimin në Bashkimin Evropian, ju jeni ura lidhëse e popullit tonë me civilizimin evropian. E për këtë falënderojmë popullin mik italian dhe institucionet e këtij vendit, që mundësuan që me shekuj ju ta ruani gjuhën, kulturën dhe kishën tuaj të pavarur arbëreshe. Shumë shpejt, ëndrra e Skënderbeut do të bëhet realitet e edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”, ka përfunduar Gashi.

E për nder të pritjes madhështore që iu bë nga Kuvendi i Kosovës, Arbëreshët kishin vendosur që të vishen me veshje kombëtare.

E para se të merrnin pjesë në seancën e Kuvendit, delegacioni i Arbëreshëve, në përcjellje të vetë Gashit, ishin për vizitë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty u takuan me ministrin Rrustem Berisha dhe drekuan me ushtarët e Forcës se Sigurisë së Kosovës.

Pas përfundimit të vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe seancës së Kuvendit, delegacioni i Arbëreshëve, darkuan në njërin nga restaurantet e Prishtinës. Të pranishëm përveç Gashit, ishin kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë dhe shumë figura publike të artit dhe kulturës shqiptare.

Ata thanë se Arbëreshët e Italisë, janë gurthemel i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke iu dhënë kështu merita të mëdha për kontributin e tyre ndër vite në kulturën shqiptare.

Arbëreshët e Italisë, u shprehën të lumtur me faktin që ka filluar një bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe atyre, duke thënë se ky bashkëpunim në të ardhmen do të thellohet.

Ata u shprehën gjithashtu të gëzuar me faktin se tashmë kanë filluar që të njohën edhe më shumë me kulturën shqiptare, përmes vizitave të ndryshme që i kanë bërë këto ditë nëpër monumente kulturore në Kosovë.

Teksa, ditëve ne vazhdim pritet të bëhen aktivitete të ndryshme për nder të tyre, Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, premtoi se tashmë përkrahje dhe mbështetja për këtë komunitet do të jetë shumë më e madhe në të ardhmen.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz