Komuna e Malishevës ka numrin më të madh të të prekurve me koronavirus në Kosovë.
Nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha, ka treguar për Klan Kosovën se si është gjendja në komunën që ka 32 të prekur me Covid-19.
“Malisheva tashmë ka numrin më të madh të personave të prekur me koronavirusin. Tashmë janë 32 persona. Dita e djeshme ka qenë një ditë jashtëzakonisht e lodhshme dhe e ngarkuar edhe në aspektin psiqik, sepse në mbrëmje kemi pritur një numër të madh të rezultateve të analizave nga mostrat që janë marrë nga IKSHPK. Mbi 80 mostra kanë qenë dje për analizë nga komuna e Malishevës”.
“Kemi të bëjmë me vatra që kanë ekzistuar edhe më herët. Ajo për të cilën kemi pasë shumë frikë është se 13 profesionistë shëndetësorë kanë pritur rezultatet e analizave, por për fat të mirë të gjitha kanë rezultuar negative”.
“Nëse do të dilnin ndryshe do të na shkaktonin pengesë shumë të madhe në funksionimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare”.