Kalo te përmbajtja kryesore
Drenica Press

Lexo edheNga UÇK, në FSK: Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore e Kosovës

LDK përsëriti se nuk voton asnjë kandidat të LVV-së. PDK tha se “Kosova ka nevojë për zgjedhje, jo për improvizime”. AAK mbeti neutrale pa marrëveshje të shkruar. Komunitetet nuk e votuan pa shumicë të sigurt.

Kësisoj me dy mandatime të dështuara, vendi ka hyrë  automatikisht në zgjedhje.

Shpallja e zgjedhjeve të reja: 28 dhjetor 2025

Pas shterimit të të gjitha procedurave kushtetuese, Presidentja njoftoi: Zgjedhjet e reja do të mbahen më 28 dhjetor. Kjo datë shënon: zgjedhjet e dyta brenda vitit, mbylljen e bllokadës 11-mujore, fundin e vitit më të tensionuar politik të Kosovës.

Pse dështoi gjithçka? Figurat kryesore:

LDK – nuk pranoi negociata dhe nuk pranoi votim të kandidatëve të LVV-së. Qëndrim strikt dhe i pandryshuar deri në fund.

PDK – kërkonte zgjedhje të reja si zgjidhje të vetme.

LVV – nguli këmbë për Kryeministër nga radha e saj dhe propozoi kandidatë pa mbështetje të mjaftueshme.

AAK – sikurse PDK, kërkonte zgjedhje të reja.

Komunitetet – kërkonin qartësi të shumicës para votimit.

Ndërsa Nisma – kërkonte postin e kryekuvendarit por nuk iu “bë e mundur”, anipse i pari i kësaj partie Fatmir Limaj, ishte takuar me Albin Kurtin, por pa ndonjë marrëveshje.

Përfundimi: Viti 2025, viti i një bllokade historike Kosova hyri në vitin 2025 me shpresë për stabilitet, por: 57 seanca të dështuara, 2 mandatime të dështuara, asnjë marrëveshje koalicioni, një Kuvend i paralizuar, një qeveri pa legjitimitet të ri, e çuan vendin në zgjedhje të reja. Ky vit do të mbahet mend si viti më i vështirë politik që nga shpallja e pavarësisë.

Mosvotimi i buxhetit në rrezik stabiliteti financiar:

Kosova hyri në zgjedhje me financim të kufizuar. Kosova po hyn në një periudhë të ndjeshme politike dhe financiare, pasi mosvotimi i buxhetit të vitit 2026 ka krijuar një situatë të pazakontë: vendi do të funksionojë vetëm me 50% të buxhetit, ndërkohë që ka hyrë zyrtarisht në proces zgjedhor.

Sipas legjislacionit aktual, kur një qeveri shkon në zgjedhje pa buxhet të miratuar, vendi financohet me buxhetin e vitit paraprak, por vetëm deri në gjysmën e tij, deri në momentin që Kuvendi i ri e voton buxhetin e ri. Kjo do të thotë se shpenzimet e shtetit kufizohen vetëm për funksione bazike.

Projektet kapitale mbesin të ngrira, nga infrastruktura deri te investimet komunale. Institucionet publike mund të përballen me mungesë fondesh për shërbime të caktuara. Komunat nuk mund të nisin projekte të reja dhe varen vetëm nga pagesat minimale operative. Kontratat e reja, investimet dhe grantet shtesë nuk mund të procedohen. Rrezikohen subvencionet dhe programet që kërkojnë planifikim vjetor.

Si funksionon shteti me 1/2 të buxhetit?

Pagat, pensionet dhe asistenca sociale vazhdojnë normalisht, sepse konsiderohen obligime të garantuara. Shpenzimet e përditshme të institucioneve lejohen vetëm në nivelin e gjysmës së vitit të kaluar. Ministritë dhe komunat nuk mund të fillojnë projekte të reja, vetëm të përfundojnë ato të kontraktuara më herët. Çdo vendim që ka ndikim buxhetor shtyhet deri pas zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë së re.

Pse u krijua kjo situatë?

Mosmarrëveshjet në Kuvend dhe prishja e raporteve mes partive politike kanë bërë që buxheti të mos vijë fare në votim, duke e lënë shtetin pa dokumentin kryesor financiar të vitit. Kjo e vendos Kosovën në një pozitë të brishtë, veçanërisht në periudhë zgjedhore, kur stabiliteti është i domosdoshëm.

Viti 2026 në Kosovë nis me përfundimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, rezultate tanimë të ditura por me shumë pikëpyetje nëse institucionet do formohen.

Verdikti i qytetarëve pas një viti bllokade: rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Pas një viti të tërë ngërçi institucional, ku Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe dy tentativa për formimin e Qeverisë dështuan, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit u panë si mekanizmi i fundit demokratik për zhbllokimin e situatës politike.

Ndryshe nga përplasjet parlamentare që karakterizuan periudhën prill–nëntor, këtë herë vendimi kaloi drejtpërdrejt te qytetarët.

Teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se janë numëruar të gjitha 2,557 kutitë e votimit, duke përfshirë votat brenda Kosovës, ndërsa procesi i votave me kusht, i diasporës dhe i personave me nevoja të veçanta mbetet për certifikimin përfundimtar, pa pritur ndryshime thelbësore në renditjen politike.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së:

  • Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë fituese me 49.34% të votave, duke siguruar rreth 433,394 vota.

  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 20.98% ose 184,318 vota.

  • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.57%, përkatësisht 119,201 vota.

  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.66% ose 49,698 vota.

  • Lista Serbe ka marrë 4.81% të votave në nivel vendi.

Bazuar në këto rezultate, shpërndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës pritet të jetë si vijon:

  • LVV – 56 ulëse

  • PDK – 23 ulëse

  • LDK – 15 ulëse

  • AAK – 6 ulëse

  • Lista Serbe – 10 ulëse (vende të garantuara për komunitetin serb)

Rezultatet përfundimtare do të certifikohen pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht, por sipas KQZ-së, nuk pritet ndryshim në raportin e forcave politike.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren duke e cilësuar këtë rezultat si “fitoren më të madhe në historinë e vendit”, duke theksuar se zgjedhjet e 28 dhjetorit përbëjnë një konfirmim të vullnetit qytetar pas një viti bllokade politike.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi rezultatin si zhgënjyes për partinë e tij, duke paralajmëruar reflektim të thellë politik dhe thirrjen e Kuvendit të partisë, pa përjashtuar edhe mundësinë e dorëheqjes.

Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së për formimin e shumicës parlamentare, ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se e kanë ruajtur elektoratin e votës së tyre, por se për mos-rritje të votës ka thënë se do të marrë përgjegjësi. /Lajmi.net/