Haliti për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Ka plot që nuk e dëshirojnë lirimin e tyre

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur në emisionin “Ditari” në Tëvë1 për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, dënimet e tyre, si dhe për procesin e votimit të Gjykatës Speciale.
Haliti ka thënë se, sipas tij, në kohën kur është votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, deputetët nuk janë detyruar që të votojnë dhe nuk ka pasur presion të drejtpërdrejtë ndërkombëtar.
“Nuk e di, atëherë kur është votuar, nuk ka detyruar askush me votu dhe nuk ka pasur presion ndërkombëtar. Mirëpo, ka pasur presion ndërkombëtar vetëm nëse nuk votoni ju, e çon OKB-ja. Kjo ka qenë ajo, nëse mund të konsiderohet presion”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka folur edhe për mundësinë që çështja të dërgohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se në një rast të tillë procedurat do të zhvilloheshin në kuadër të OKB-së.
“OKB-ja pastaj, kur e themelon, anëtarët e kësaj gjykate, nëse ishte çuar nga OKB-ja, kanë mundur me i gjetë nga të gjitha shtetet e OKB-së, varësisht prej procedurave të tyre, e kishin zgjedhë. Sepse Kosova ka qenë dhe është akoma, në njëfarë mënyre, dhe Rezoluta 1244 hala nuk është hequr”, është shprehur ai.
Haliti ka komentuar edhe pretendimet se ish-krerët e UÇK-së janë përfshirë në proces për shkak të rolit të tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë po dëgjoj diskutime nga më të ndryshmet, jo më mirë, se ‘i kishin bërë ata’, se ‘i kanë liruar Ramushin e ata e ata’. Edhe aq sa kam dëgjuar unë, nuk ka argumente të drejtpërdrejta për ish-krerët e UÇK-së, por e kanë marrë si bërthamë të UÇK-së, siç e kanë interpretuar”, ka thënë Haliti.

Lexo edheNga nesër hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n
Ish-deputeti i PDK-së ka folur edhe për qëndrimet e personave që kundërshtojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se një pjesë e tyre, sipas tij, nuk dëshirojnë që ata të dalin nga burgu.
“Unë mendoj që është shumë mirë se t’i ndihmosh ish-krerët në Hagë dhe është mirë t’i ndihmosh ata, sepse ka edhe të tillë që nuk dëshirojnë t’i ndihmosh dhe të mbesin aty brenda në burg. Po shoh në komente edhe në media njerëz të cilët po flasin eksplicit politikisht. Ka plot të cilët nuk e dëshirojnë lirimin e tyre”, ka deklaruar Haliti.
Ai ka thënë se është i gatshëm që për këtë temë të zhvillojë debat të drejtpërdrejtë me ata që kanë qëndrime të kundërta.
“Unë sot nuk kam me diskutu për këtë temë, sepse unë kam qejf me debatu për këtë temë me ata drejtpërdrejt dhe me ua tregu edhe letrat e tyre”, ka përfunduar Haliti.












