Në takimin e 366-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me rastin e raportimit tremujor janar-mars 2026 të kryetarëve të gjykatave, anëtari Bashkim Hyseni kërkoi llogari nga kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri, se pse Ferizaji me rrethinë ka pak gjyqtarë të rekrutuar në proceset e konkurseve ku ai ka qenë anëtar i Komisionit.
“Një rajon me 200 mijë banorë, gjatë këtyre proceseve rekrutuese, sa i ka pasur të rekrutuar minimalisht? Dhe ka pasur komuna ndoshta me mbi 30 mijë banorë që i kanë të rekrutuar mbi 20 gjyqtarë. Pse është kjo diskrepancë kaq e madhe kur vetë keni qenë anëtar i Komisionit për Rekrutim dhe e dini që kandidatët prej këtij rajoni, madje bashkëpunëtorë, kanë pasur rezultate shumë të mira në testin me shkrim, por më vonë nuk janë përzgjedhur”, tha Hyseni.
Hyseni për kandidatët tjerë që janë rekrutuar nga qytete të tjera tha se “mos kanë studiuar në Harvard apo Kembrixh”.
“A kanë studiuar ata në Harvard apo Kembrixh, sepse dallimi është shumë i madh. Te rajoni i Ferizajt, me mbi 200 mijë banorë, i ke dy të rekrutuar për kaq vite, ndërkaq komunat e vogla me mbi 30 mijë banorë kanë mbi 20. Keni qenë vetë pjesë e Komisionit për përzgjedhje”, shtoi Hyseni.
Tahiri tha se procesi zhvillohet nga KGJK-ja.
“Përgjigjja është kjo që thashë. Nuk kam përgjigje dhe nuk mund të jap arsye konkrete për këtë çështje. Pozitat për gjyqtar shpallen nga ana e Këshillit Gjyqësor”, deklaroi Tahiri.
Hyseni iu drejtua me pyetje Tahirit se si ndihet para komunitetit të juristëve të Ferizajt dhe bashkëpunëtorëve profesionalë që i ka aty.
Tahiri shprehu keqardhje.
“Më vjen keq që komuniteti i rrethit të Ferizajt s’ka arritur të përzgjedhë gjyqtarë”, tha Tahiri.