back to top
Tuesday, July 22, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit“Shumica nuk arrihet pa NISMA-n, por mungon besimi mes palëve” – Analistët...

“Shumica nuk arrihet pa NISMA-n, por mungon besimi mes palëve” – Analistët nuk shohin rezultat nga një marrëveshje e mundshme Kurti-Limaj

Të ngjajshme

Emocionohet Adelina, merr dhuratë të çmuar nga djali i saj

Këngëtarja e njohur shqiptare, Adelina Tahiri është një nga...

CILËSI QË PO NDËRTOHET ÇDO DITË – QENDRESA E RE

Qendresa e Re lagja më moderne e cila po...

Planet për një tjetër fëmijë, Sara e hapur me ndjekësit

Edhe pse vetëm disa muaj më parë u bënë...

Kriza institucionale në Kosovë, që pas shpërbërjes së Kuvendit dhe përpjekjeve të dështuara për konstituim të tij, po thellohet çdo ditë. Në këtë situatë, çdo votë bëhet e vlefshme, e sidomos ato që mund të vijnë nga jashtë shumicës – siç janë tri votat e NISMA-s të Fatmir Limajt.

Analistë dhe ish-zyrtarë të lartë po e shohin pikërisht në raportin mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt, një pikë kyçe për tejkalimin e bllokadës politike – por edhe një burim të mundshëm mosbesimi.

Në një prononcim për Lajmi.net, ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka analizuar përpjekjet e kryeministrit Albin Kurti për të siguruar shumicën parlamentare, duke përmendur raportet me kreun e Nismës, Fatmir Limaj.

Ramadani thotë se takimet midis Kurtit dhe Limajt mund të japin rezultat vetëm nëse Kurti arrin të sigurojë paraprakisht mbështetjen e 58 deputetëve, pasi vetëm atëherë tre votat e NISMËS bëhen të vlefshme për formimin e qeverisë.

“Takimet midis Kurtit e Limajt japin rezultat vetëm kur Kurti arrin që të ketë 58 deputetë, në mënyrë që me 3 votat e Limajt të krijojë Qeverinë e re. Momentalisht, duket që Kurti ka mbështetjen e 56 deputetëve. Rrjedhimisht, nuk ka shumicë parlamentare për Qeverinë e re. Thjesht, kur Kurti i prezanton 58 vota, i merr edhe 3 të Limajt. Përndryshe, situata e njëjtë e bllokadës vazhdon,” ka deklaruar Ramadani.

Ai gjithashtu mohon se problemi aktual lidhet me pozitën e kryeparlamentarit.

“Qartësisht, tema e kësaj bllokade nuk është Kryetari i Kuvendit. Sepse, Kurti kur të ka dëshirë e zgjedh Kryetarin e Kuvendit. Veç e propozon Glauk Konjufcën dhe i merr të paktën 86 vota për Konjufcën. Por, halli i Kurtit është Qeveria. Për Qeverinë Kurti deri më tash i ka vetëm 56 vota,” ka thënë ai.

Ndërkohë, zhvillimet janë komentuar edhe nga analistja politike, Magbule Shkodra, e cila për Lajmi.net ka theksuar se oferta e Kurtit ndaj Limajt për bashkëqeverisje është bërë publike, por nuk është pranuar nga ky i fundit, i cili sipas saj është më shumë i interesuar për pozitën e kryeparlamentarit sesa për poste në Qeveri.

“Është e vërtetë që z. Kurti në konferencën për media që e mbajti dje, bëri të qartë se i ka bërë një ofertë z. Limaj për të bashkëqeverisur, por në anën tjetër kemi pasur deklarata nga z. Limaj se ai nuk është i interesuar të jetë pjesë e qeverisë, por është i interesuar për pozitën e kryeparlamentarit. Pra, kjo po tregon në fakt se Kurti nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij me ofertë për të qeverisur me Fatmir Limajn. Unë mendoj e nëse Limaj propozohet për kryeparlamentar do t’i merrte votat dhe do arrinim në zgjidhje që të kishim kryetar dhe konstituim të Kuvendit,” tha Shkodra.

Ajo foli për mundësinë që Limaj të hyjë në Qeveri nëse i ofrohet post ministror, duke përmendur edhe mosbesimin mes palëve si pengesë kryesore.

“Nuk shoh ndonjë version tjetër që Kurti të qeverisë me Limajn. Nëse i jep ministri, unë po besoj që Limaj me dy deputetët që janë të Nismës do të qëndrojnë pra në Kuvend dhe nuk do të lirojnë këto pozicione sepse do ta humbnin fuqinë në Kuvend. Kështu, se rastësisht Limaj pranon dhe ajo që është përfolur është Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Arsimit, do të thotë do të duhet të emëronte ministra nga NISMA, por e shoh shumë të vështirë për të arritur në këtë pikë. Mos të harrojmë që ka një mosbesim mes palëve, rasti që ishte me LDK-në, ju kujtohet Agim Veliu që u shkarkua pas një deklarate të tij publike dhe kjo e bën që edhe kjo ofertë që i bëhet z. Limaj të diskutohet, të ketë dyshime se a duhet t’i bashkohet qeverisjes së Kurtit,” tha ajo.

Në fund, Shkodra bëri thirrje për një veprim të drejtpërdrejtë nga Limaj, nëse ai vërtet e synon stabilitetin institucional.

“Nëse e shikojmë deklaratën e parë që e pat dhënë Limaj, kur na pat informuar se ia ka siguruar z. Kurti tri votat e tij pa kurrfarë kushti dhe pastaj Kurti ka insistuar të kenë një marrëveshje politike, kur jemi në këtë pikë kur nuk po arrihet marrëveshje politike, do të doja të shihja z. Limaj të tërhiqej duke thënë se po i ofron këto tri votat e tij pa kurrfarë kushti, sepse jemi në krizë të thellë institucionale dhe vendi ka nevojë për zgjidhje. Kështu që Limaj deri më tani është treguar korrekt, pasi cili do që të ishte kandidat për kryeministër votat do t’i jepte, por do të dëshiroja të shihja nga ai të thoshte që po i jap këto tri vota pa kurrfarë kushti, nëse me të vërtetë e ka atë që dëshiron të mirën e Kosovës”, tha Shkodra për Lajmi.net.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon më 26 korrik. Në mungesë të konsensusit, pritet që Gjykata Kushtetuese t`i interpretojë hapat e mëtejshëm për rrugëdalje institucionale./Lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit