Nga 35 inspektorë të punës gjithsej sa ka Kosova, 8 nga ta janë serbë e 5 prej tyre po e bojkotojnë punën. Pas rreth 5 vjetësh që kanë marrë pagë pa dalë në punë, në shkurt të këtij viti, atyre u është ndalur pagesa. Këtyre ditëve për njërin prej tyre është shqiptuar edhe masa e largimit nga puna, derisa për 4 të tjerët janë duke vazhduar procedurat disiplinore nga Inspektorati i Punës.
Pesë inspektorë serbë të punësuar në Inspektoratin e Punës ka rreth 5 vjet që kanë marrë paga pa dalë në punë.
Nga shkurti i këtij viti ky institucion ka marrë vendim që ata që nuk kryejnë detyrat e punës të mbesin në listën e pagave, por të mos paguhen.
Pavarësisht kësaj, ata kanë vazhduar bojkotin, derisa njëri prej tyre është larguar nga puna me vendim të Komisionit Disiplinor të Inspektoratit, ndërsa 4 të tjerët janë në procedurë disiplinore.
“Për momentin 3 prej tyre, pjesa që janë inkuadruar në formën e rregullt, ata punojnë bashkë me inspektorët e tjerë, por këta 5 që i kemi pasur me marrëveshje, kemi pasur probleme me ta. Për njërin prej tyre veç është nxjerrë vendimi prej Komisionit Disiplinor për procedurë që të largohet nga marrëdhënia e punës dhe 4 të tjerë i kemi në procedurë disiplinore”, ka thënë Agim Millaku, ushtrues detyre i kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.