Komediani britaniko-amerikan dhe prezantuesi i emisionit të njohur “Last Week Tonight”, John Oliver, në edicionin e fundit të emisionit të tij ka bërë një monolog të ashpër rreth krizës humanitare në Gazë.
Sipas mediave të huaja, John Oliver e hapi episodin e tij të fundit me një vështrim mbi urinë e tmerrshme në Gazë, të cilën udhëheqësit izraelitë dhe mbështetësit amerikanë vazhdojnë ta mohojnë.
Dhe ai përmendi raportet nga Kombet e Bashkuara, organizatat e ndihmës dhe grupet izraelite të të drejtave të njeriut që konfirmojnë të njëjtën gjë.
“Ajo që po ndodh në Gaza tani është një zi buke”, tha ai. “I gjithë informacioni që kemi tregon këtë, përveç këtij njeriu të mallkuar [Benjamin Netanyahu]…”.
Oliver iu referua gjithashtu një artikulli të CNN të vitit 2024 në të cilin ministri izraelit i financave, Bezalel Smotrich, tha se “mund të jetë e drejtë dhe morale” të lihen 2 milionë palestinezë të uritur, por “askush në botë nuk do të na lejonte”.
John Oliver not mincing words: “Gaza is starving, is a sentence that’s objectively true, but it’s also slightly misleading because it’s too passive. Gaza is being starved by Israel.” pic.twitter.com/cx4xlpTMsx
— Blue Georgia (@BlueATLGeorgia) August 4, 2025
Oliver arriti në përfundimin se Smotrich “në thelb po ankohej se bota po e pengon atë të kryejë gjenocid më mirë”.
Komediani amerikan nuk kurseu as vendin e tij, duke kritikuar hapur Uashingtonin për ndihmën ushtarake ndaj Izraelit.
Në këtë drejtim ai përmendi faktin se SHBA-ja është “ajo që i dha Izraelit gati 18 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vetëm gjatë vitit të parë të kësaj lufte”.
“Shikoni, ‘Gaza po vuan nga uria’ është një fjali që është objektivisht e vërtetë, por është gjithashtu paksa mashtruese sepse është shumë pasive”, shtoi ai. ““Izraeli po shkakton uri në Gazë”.
Monologu i tij, i mbushur me sarkazëm, humor dhe kritika të mprehta politike, u prit me duartrokitje nga publiku në studio dhe reagime të shumta pozitive në rrjetet sociale, ku pjesë të shfaqjes tashmë po përhapen në mënyrë virale.
Kështu, Oliver iu bashkua numrit në rritje të personaliteteve të medias amerikane që kritikojnë publikisht politikën e qeverisë izraelite ndaj Gazës.