Sa pushtet kishin Thaçi dhe të tjerët para verdiktit?

Më 16 shtator, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dëgjojnë në Hagë nëse shpallen fajtorë apo të pafajshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Verdikti vjen pas më shumë se tre vjetësh gjykim dhe një procesi që nxori përballë dy versione thelbësisht të ndryshme për mënyrën se si funksiononte Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe për pushtetin që kishin katër të akuzuarit brenda saj.
Prokuroria pretendon se ata kishin autoritet të mjaftueshëm për të marrë pjesë në një plan të përbashkët kriminal.
Mbrojtja argumenton se UÇK-ja ishte një forcë guerile e decentralizuar dhe se pushteti real shpesh ishte në nivel lokal.
Tani, gjykatësit e Dhomave të Specializuara duhet të përcaktojnë nëse janë kryer krimet e përshkruara në aktakuzë dhe nëse Prokuroria ka provuar përgjegjësinë e secilit prej katër të akuzuarve përtej dyshimit të arsyeshëm.
Përgjigjja mund t’i japë këtij vendimi rëndësi edhe përtej rastit.
Nga lufta në Hagë
UÇK-ja doli në skenë në mesin e viteve ’90, pas vitesh të rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës ndaj regjimit të dhunshëm të Sllobodan Millosheviqit.
Nga grupe të vogla guerile, ajo u rrit në një forcë që luftonte kundër forcave serbe dhe jugosllave. Deri në vitin 1998, konflikti ishte shndërruar në luftë të hapur.
Pas dështimit të bisedimeve të paqes në Rambuje, NATO-ja nisi bombardimet kundër caqeve jugosllave në mars të vitit 1999.
Pas 78 ditësh, Beogradi pranoi të tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe lufta mori fund.
Bilanci ishte i rëndë: më shumë se 13.000 njerëz u vranë ose u zhdukën, ndërsa qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Por, krimet e forcave serbe nuk janë objekt i procesit aktual në Hagë.
Ky rast trajton krime të tjera të pretenduara dhe përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve për to.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e udhëheqjes së UÇK-së. Thaçi në krahun politik, Veseli në inteligjencë, Krasniqi si zëdhënës dhe Selimi në Shtabin e Përgjithshëm.
Pas luftës, të katërt kaluan në politikë dhe mbajtën poste të larta shtetërore.
Procesi që do t’i çonte në Hagë, mori shtysë nga një raport i Këshillit të Evropës, i hartuar nga ish-senatori zviceran Dick Marty, me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës.
Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin që i hapi rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara.
Ato u bënë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe selinë në Hagë.
Në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit. Ai, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u transferuan në paraburgim në Hagë.
Të katërt u deklaruan të pafajshëm.

Për çfarë akuzohen?
Aktakuza përmban dhjetë pika: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Ajo përfshin, mes tjerash, akuza për përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer së paku nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Viktimat e pretenduara përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së.
Në proces janë përfshirë 156 viktima.
Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi Kosovën, përfshirë përmes frikësimit, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë.
Gjykimi nisi më 3 prill të vitit 2023.
Gjatë procesit, 134 dëshmitarë dëshmuan në sallën e gjyqit: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesi i viktimave dhe shtatë nga mbrojtja.
Në fund, Prokuroria kërkoi që të katërt të shpallen fajtorë në të gjitha pikat e aktakuzës dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim.
Mbrojtja kërkoi pafajësi.
Dy versione për pushtetin brenda UÇK-së
Një pjesë e rëndësishme e procesit është përqendruar te mënyra se si funksiononte UÇK-ja dhe tek autoriteti real i udhëheqjes së saj.

Lexo edheNxënësit e Drenasit nesër në orën e parë mësojnë për UÇK-në dhe historinë e luftës
Prokuroria argumentoi se UÇK-ja kishte një strukturë të organizuar dhe se katër të akuzuarit kishin autoritet të mjaftueshëm për të marrë pjesë në një plan të përbashkët për eliminimin e kundërshtarëve.
Mbrojtja paraqiti një version tjetër: UÇK-ja ishte një forcë guerile e decentralizuar dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte kontrollin që ia atribuon Prokuroria.
Në mesin e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit ishte ish-diplomati amerikan, James Rubin.
“Hashim Thaçi duhej t’u drejtohej këtyre komandantëve të [UÇK-së] për informacion, njohuri, vendime… Kështu që, unë e kam parë duke treguar respekt ndaj tyre për çështjet përmbajtjesore të UÇK-së”, dëshmoi Rubin.
Çfarë duhet të provohet?
Dy forma të përgjegjësisë penale kanë zënë vend të rëndësishëm në debat: “ndërmarrja e përbashkët kriminale” dhe “përgjegjësia komanduese”.
E para lidhet me pyetjen nëse të akuzuarit morën pjesë në një qëllim të përbashkët kriminal. E dyta, mes tjerash, me atë nëse kishin kontroll efektiv mbi vartësit dhe nëse dinin ose kishin arsye të dinin për krimet.
Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se gjykatësit fillimisht duhet të përcaktojnë nëse Prokuroria e ka provuar ekzistencën e qëllimit të përbashkët kriminal.
“Detyra e parë, mendoj unë, do të jetë të vendoset nëse ky qëllim i përbashkët është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, pastaj, natyrisht, të kalohet te vlerësimi i pjesëmarrjes së secilit të pandehur në këtë plan të përbashkët”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.
Për përgjegjësinë komanduese, sipas tij, struktura e UÇK-së merr rëndësi të veçantë. Nëse Shtabi i Përgjithshëm kishte autoritet real mbi zonat, kjo mund ta forcojë argumentin e Prokurorisë. Nëse pushteti ishte kryesisht te komandantët lokalë, mund ta dobësojë atë.
Timothy Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës, e sheh një sfidë tjetër: lidhjen mes krimeve të pretenduara dhe personave që nuk akuzohen se i kanë kryer drejtpërdrejt ato.
“Ajo që nuk kemi është një video që mund të tregojë lidhjen mes atij krimi dhe dikujt si Thaçi… Në shumë prej këtyre rasteve, vetë krimet nuk vihen në dyshim. Por, është lidhja ajo që është shumë e vështirë të provohet”, thotë Waters për Radion Evropa e Lirë.
Pse ky vendim mund të ketë rëndësi përtej rastit?
Juridikisht, në gjyq janë katër individë, jo UÇK-ja.
Por, ekspertët thonë se mënyra se si gjykata do t’i trajtojë format e përgjegjësisë penale mund të ketë rëndësi edhe përtej tyre.
Waters thotë se teoria e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” mund të shtrihet gjerësisht.
“Askush nuk e thotë formalisht se UÇK-ja është në gjyq, apo diçka e tillë. Në gjyq janë këta katër persona. Por, teoria mbi të cilën mbështetet rasti, nuk përfundon me ta. Logjikisht, ajo shtrihet edhe te shumë njerëz të tjerë”, thotë ai.
Kjo, sipas tij, nuk do të thotë se persona të tjerë do të gjykohen, por se mënyra se si zbatohet kjo teori, mund të ketë implikime më të gjera.
Ellis shton se arsyetimi i gjykatës mund të ketë rëndësi edhe për zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.
“Kështu funksionon e drejta ndërkombëtare. Ajo vazhdimisht ndërtohet mbi vendimet e mëparshme. Rast pas rasti, vendimet përcaktojnë dhe ripërcaktojnë elemente të teorisë juridike. Pikërisht kjo do të ndodhë edhe këtu”, thotë ai.
Verdikti dhe ajo që vjen pas tij
Vendimi mund të lexohet edhe politikisht.
Waters thotë se një dënim mund të përdoret në Serbi për të forcuar narrativin kundër UÇK-së, ndërsa në Kosovë mund të interpretohet si gjykim ndaj luftës çlirimtare.
Një pafajësi, sipas tij, mund të ngrejë pikëpyetje për arritjet e Dhomave të Specializuara.
“Qoftë pafajësi apo dënim, vendimi do të ndikojë në politikën brenda vendit, në rajon dhe në Shtetet e Bashkuara – aq sa SHBA-ja do t’i kushtojë vëmendje”, thotë Waters.
Megjithatë, 16 shtatori nuk do të jetë domosdoshmërisht fundi i procesit.
Aktgjykimi i Trupit Gjykues do të jetë i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë.
Dhomat e Specializuara kanë dhënë edhe më parë dënime.
Salih Mustafa dhe Pjetër Shala janë dënuar për krime lufte, ndërsa Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj për vepra kundër administrimit të drejtësisë.
Thaçi, ndërkohë, përballet edhe me një proces të veçantë për pengim të dyshuar të drejtësisë.
Por, rasti kundër tij, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit është procesi më i gjerë dhe më kompleks që kanë zhvilluar deri tani Dhomat e Specializuara.
Aktgjykimi në këtë rast vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Kosovën, e cila po përballet me një krizë të thellë politike dhe institucionale. REL












