AUV tërheq produktin “SELECT MILK GR”, intensifikohen kontrollet për aflatoksinë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të koncentratit për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, pas konfirmimit të tejkalimit të nivelit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në ushqimin për kafshë.
Sipas AUV-së, produkti është prodhuar nga kompania “DE HEUS D.O.O.” në Serbi dhe është importuar në Kosovë nga N.P.T. “Haxhijaha” SH.P.K. nga Rahoveci.
Masat e tërheqjes përfshijnë LOT-et 0385010426007 dhe 0385020426001. AUV ka urdhëruar izolimin e sasive të mbetura dhe gjurmimin e shpërndarjes së produktit deri te operatorët dhe fermat ku është përdorur.
AUV u ka bërë thirrje fermerëve dhe distributorëve që posedojnë produktin nga këto LOT-e, të mos e përdorin apo vendosin në qarkullim, si dhe ta mbajnë të veçuar deri në përfundimin e procedurave, raporton IndeksOnline.
Ndërkohë, për 30 ditë është vendosur masë e përkohshme parandaluese ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, me origjinë ose të prodhuara në Serbi.

Lexo edheSa pushtet kishin Thaçi dhe të tjerët para verdiktit?
AUV ka intensifikuar gjithashtu kontrollet, mostrimin dhe analizat laboratorike për Aflatoksinën B1 në misër dhe produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve.
Sipas vlerësimit të IKSHPK-së, aflatoksinat mund të kenë efekte toksike, gjenotoksike dhe kancerogjene. Te lopët qumështore, AFB1 mund të shndërrohet në Aflatoksinë M1 (AFM1) dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik edhe për zinxhirin ushqimor.












