Sa mund të dënohet Fatmir Sheholli nëse shpallet fajtor?

Më 7 shtator, Fatmir Sheholli do të dalë për herë të parë në gjykatore, për t’u përballur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale për spiunazh dhe shantazh.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se shqyrtimi fillestar do të mbahet në orën 09:30 dhe do të jetë i hapur për publikun.
Por, sa të rënda janë veprat për të cilat akuzohet Sheholli dhe çfarë dënimi parashihet nëse ai shpallet fajtor?
“Aktakuza ka dalë, ka dalë bukur voluminoze dhe ka shpalosur shumë detaje, që me të vërtetë ndoshta në opinion kanë qenë të ditura, por tashmë i është dhënë epilog shtetëror çështjeve të spiunazhit të shqiptarëve të Kosovës në Republikën e Serbisë”, Skënder Musa, avokat për RTK.
Në rastin e spiunazhit, Kodi Penal i Republikës së Kosovës e përfshin këtë vepër në nenin 124.
Në paragrafin 3 të këtij neni përcaktohet se:
“Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim”.
Pra, nëse shpallet fajtor për këtë vepër, pesë vjet burgim është minimumi i paraparë nga kjo dispozitë.

Lexo edheKosovari humb jetën në aksident tragjik në Finlandë, dyshohet se shoferi i dyshuar ishte i dehur
Por, sipas avokatit Skënder Musa, bëhet fjalë për një vepër penale të rëndë, e cila prek drejtpërdrejt sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.
“Hyn në kapitullin e veprave të rënda, në kapitullin e veprave kundër integritetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, natyrisht që nuk mund të shqiptohen dënime të lehta. Vetëm nëse kryesi i veprës penale është bashkëpunëtor i Prokurorisë Speciale dhe zbulon raste të tjera, qofshin ato të zyrtarëve të lartë, qofshin ato të ndonjë bashkëpunëtori që punon në institucione, polici, hetuesi, AKI dhe institucione të ndjeshme, atëherë dënimi mund të ulet. Në të kundërtën, këto vepra rrezikojnë direkt rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të Kosovës” tha avokati Musa.
Krahas spiunazhit, Sheholli akuzohet edhe për shantazh. Për rrethanat e përcaktuara në paragrafin 2 të dispozitës përkatëse, Kodi Penal parasheh gjobë dhe burgim prej një deri në dhjetë vjet. Sipas kësaj dispozite, ky dënim parashihet kur vepra kryhet, ndër të tjera, nga një anëtar i grupit, me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, ose kur rezulton me përfitim të kundërligjshëm që tejkalon dhjetë mijë euro.
Megjithatë, në këtë fazë, Fatmir Sheholli prezumohet i pafajshëm dhe përgjegjësia e tij penale do të përcaktohet vetëm me vendim të gjykatës.
Më 9 tetor të vitit 2025, pas një hetimi disa-mujor, hetuesit e Policisë së Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, arrestuan Shehollin në rajonin e Prishtinës, nën dyshimin për spiunazh.












