Asfaltimi i saj u bë në nëntorin e kaluar.
Por, s`shkoi as 5 muaj, e shtresa e vendosur e asfaltit në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, u prish shkaku i reshjeve atmosferike.
Për këtë arsye këtyre punëtorëve do u duhet të kthehen prapë në këtë rrugë në lagjen “Bregu i Diellit”, për të bërë riasfaltimin e saj.
Prishja e rrugës telashe po u nxjerr banorëve të këtushëm, të cilët po ankohen për pluhurin e shkaktuar, raporton Front Online.
“Kjo rrugë është shtruar para Vitit të Ri, pasi e kanë shtruar, tani e kanë prish përsëri. Na myti pluhuri këtu, na bani bezar, kush dritare çel nuk po mundet me lanë prej këtij pluhuri”, u shpreh një qytetar për portalin “Front Online”.
”E vetmja ajo nga shkakton, pluhur, erëra të ndryshme, po e shihni vetë, nuk kam çka të them diçka tjetër”, tregoi tjetri qytetar raporton Front Online.
Pos pluhurit, prishja e kësaj rruge, po u shkakton dëm edhe shoferëve të cilët kalojnë përditë këndej pari.
“Pos pluhurit, kena problem me makina se kjo e amortizon kerrin, ka shume gropa që i kanë lënë, e ka prerë asfaltin pa kurrfarë kriteri”, deklaroi ai.
Në Komunën e Prishtinës bëjnë me dije se për riasfaltimin e kësaj rruge nuk do t`u bie ta harxhojnë as edhe një cent, meqë koston do ta paguajë kompania kontraktuese, që kishte shtruar më herët me asfaltë.
“Asfalti në rrugën Xheladin Hana filloi të shpërbëhet. Kushtet atmosferike gjatë riasfaltimit e kanë shkaktuar prishjen. U urdhërua kompania që ta riasfaltojë prapë rrugën. Këtë kosto e bartë kompania. Nuk dëmtohet buxheti, paraja publike mbrohet”, tha për “Front Online” Gëzim Mehmeti, drejtor i Infrastrukturës në kryeqytet.
Megjithatë, Mehmeti, nuk ka bërë të ditur datën se kur do të nis riasfaltimi i saj.