Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën e tretë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se votimi ka përfunduar në 25 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, përfshirë shtete si Gjermania, Zvicra, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Radoniqi ka njoftuar se votimi në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada do të përfundojë pas mesnate, sipas kohës lokale në Kosovë.
Ai theksoi se procesi zgjedhor është zhvilluar pa pengesa dhe në përputhje me ligjin dhe procedurat.
“Ju njoftojmë se deri në këtë kohë ka përfunduar votimi në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas kohës lokale në Kosovë, në orën 01:00 pas mesnatës, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Gjatë gjithë ditës së sotme, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe nga zyrtarët e shërbimit votues u janë ofruar udhëzimet e nevojshme për zhvillimin e votimit sipas ligjit dhe procedurave. Në përgjithësi, nga komunikimi i vazhdueshëm, procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë. Në emër të KQZ-së, falënderojmë shefat dhe stafin e misioneve diplomatike dhe anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për angazhimin e tyre gjatë ditës së sotme. Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues. Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë”, ka deklaruar Radoniqi.
Nga 19,187 votues të regjistruar në përfaqësitë diplomatike, kanë votuar 15,597 votues apo 81.29 për qind. Fletëvotimet do të transportohen në Kosovë dhe do të numërohen në ditët në vijim. KQZ falënderoi stafin diplomatik dhe anëtarët e këshillave të vendvotimit për angazhimin e tyre.



