Reali i “tërbuar” për përjashtimin e Camavingas, ish-gjyqtari Burrull: Karton i kuq i pajustifikueshëm

Protesta të mëdha nga Real Madridi në fundin e ndeshjes në Munich ndaj gjyqtarit slloven Slavko Vinčić, fajtor sipas spanjollëve se e prishi një ndeshje të bukur dhe të ekuilibruar duke u përjashtuar në minutën e 86-të, me rezultatin 2-3 për madrilenët, mesfushorin Eduardo Camavinga.
Një përjashtim për dy kartonë të verdhë, i dyti për mbajtjen e topit, që ka ndezur zemërimin në Spanjë, sidomos në mediat pranë klubit të kryeqytetit.
Gjatë emisionit “Marcador” në Radio Marca, ish-referi ndërkombëtar Alfonso Pérez Burrull e komentoi kështu vendimin e gjyqtarit, përcjell “Gazeta Express”.
“Në minutën e 86-të Vinčić ia tregoi kartonin e dytë të verdhë Camavingas për mbajtjen e topit. Por nuk mund ta përjashtosh një lojtar për këtë, nuk ka asnjë mënyrë për ta justifikuar një karton të tillë të kuq.”

Lexo edheFatjona Kasapi nuk ia del, mposhtet nga xhudistja spanjolle
Ai vazhdoi më tej: “Është absolutisht joproporcionale ta përjashtosh një lojtar për një veprim të tillë. Ai e mban topin vetëm për tre sekonda dhe gjyqtari duhet të jetë shumë më i ekuilibruar, duke e marrë parasysh peshën e ndeshjes dhe ndikimin që ka në lojë. Kjo i afrohet abuzimit me pushtetin.”
Sipas shumë komentuesve, Vinčić mund ta ketë harruar që e kishte ndëshkuar më parë mesfushorin francez dhe, pasi e nxori kartonin e dytë të verdhë, nuk kishte më mundësi të kthehej pas në vendimin e tij.
Në rrëmujën e fundit të ndeshjes, gjyqtari e përjashtoi edhe Arda Güler për protestat e vazhdueshme, duke shtuar edhe më shumë tensionin në një sfidë që vazhdon të shkaktojë polemika të mëdha. /Gazeta Express














