Rama: 20 shkolla në Tiranë me kamera inteligjente, teknologjia do të forcojë sigurinë e nxënësve

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, si pjesë e një procesi që synon rritjen e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin.
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se vendimi për forcimin e sigurisë me anë të teknologjisë u mor pas një ngjarjeje tragjike të ndodhur në një shkollë të Tiranës, kur sistemet ekzistuese të kamerave nuk mjaftuan për të ndihmuar në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla. Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë por natyrisht edhe të vetë prindërve.

Lexo edheZgjedhje e qëlluar dhe në interes të vendit/ Manaj për Bekim Sejdiun president
Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë. Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, thuhet në postimin e Ramës.












