Nagavci pas marrëveshjes për Presidentin: Negociata jo të lehta, lajm shumë i mirë për Kosovën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka thënë se marrëveshja e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President, është një zhvillim i rëndësishëm politik dhe institucional.
“Negociata jo të lehta, por një lajm shumë i mirë për Kosovën. Për herë të parë kemi një marrëveshje për një emër konsensual, që dëshmon se, pavarësisht dallimeve politike dhe negociatave jo gjithmonë të lehta, kompromisi dhe përgjegjësia institucionale janë të mundshme kur interesi i vendit vendoset mbi interesat partiake”, ka thënë Nagavci.
Nagavci më tej ka pohuar se në këtë fazë, më e rëndësishmja është që Kosova të ketë sa më shpejt institucione funksionale dhe legjitime.

Lexo edhe“Një President për të gjithë”, Kusari kërkon votën për Bekim Sejdiun
“Prandaj, mbetet të shpresojmë që i gjithë procesi të përmbyllet me sukses. Bekim Sejdiu është një figurë e respektuar, një emër që i bën nder këtij procesi dhe që mund të përfaqësojë një pikë takimi përtej ndarjeve politike. Uroj që kjo marrëveshje të jetë një hap drejt tejkalimit të ngërçit institucional dhe që procesi të përmbyllet sa më shpejt, në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosovës i duhen institucione funksionale, stabilitet politik dhe përgjegjësi mbi të gjitha”, ka shkruar Nagavci në Facebook.












