Qeveria hap konkursin për Bordin që ndërhyn në rastet e destabilizimit të tregut

Qeveria e Kosovës ka hapur konkursin për përzgjedhjen e tre anëtarëve të jashtëm të Bordit të Pavarur për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut.
Bordi, i paraparë me Ligjin për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore, ka kompetenca për të trajtuar rastet e destabilizimit të tregut, për të analizuar zhvillimet në treg dhe për të vlerësuar nëse janë të nevojshme masa të përkohshme për produktet bazë.
Sipas njoftimit, Bordi përbëhet nga pesë anëtarë, tre prej të cilëve janë të jashtëm, ndërsa dy delegohen nga Ministria përkatëse për Industri dhe Tregti dhe Autoriteti i Konkurrencës.
Anëtarët e Bordit kanë mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Kryetari dhe nënkryetari zgjidhen nga radhët e anëtarëve të jashtëm.
Për të aplikuar, kandidatët duhet të jenë shtetas të Kosovës me vendbanim të përhershëm në vend, të kenë diplomë universitare në ekonomi ose drejtësi dhe së paku 10 vjet përvojë profesionale në fushat përkatëse.

Lexo edheStrategjia për ish-krerët, shumica e partive ende pa vendim për përfaqësuesit
Kandidatët duhet të dëshmojnë gjithashtu se nuk janë të dënuar për vepër penale dhe të deklarojnë nën betim se nuk kanë konflikt interesi.
Aplikimi është i hapur nga 8 tetori deri më 7 nëntor 2026. Dokumentacioni mund të dorëzohet fizikisht në Sekretariatin Koordinues të Qeverisë, përmes postës ose në adresën elektronike [email protected].
Pas verifikimit të dokumentacionit dhe intervistimit të kandidatëve që i plotësojnë kushtet ligjore, Qeveria do t’ia propozojë Kuvendit kandidatët për tre anëtarët e jashtëm të Bordit.














