BallinaLajmeLajmet e FunditPresidenti iranian thotë se Izraeli ka tentuar ta vrasë

Presidenti iranian thotë se Izraeli ka tentuar ta vrasë

Përmes një intervistë të publikuar të hënën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Izraeli ka tentuar ta likuidonte duke bombarduar një zonë ku ai po mbante një takim, pa specifikuar nëse kjo kishte ndodhur gjatë konfliktit 12-ditor Izrael-Iran, apo më herët.

“Njerëzit e Izraelit patën përpjekje, po, vepruan në përputhje me këtë, por dështuan,” është shprehur Pezeshkian në një intervistë me Tucker Carlson, duke u përgjigjur ndaj pyetjes nëse besonte se Izraeli kishte tentuar ta vrasë, raporton The Guardian.

“Ata që tentuan të më vrisnin nuk ishin Shtetet e Bashkuara, por Izraeli. Unë isha në një takim… ata tentuan të bombardojnë zonën ku po mbahej ai takim,” ka thënë ai, pa specifikuar nëse përpjekja e dyshuar ishte gjatë luftës së fundit.

Kujtojmë se gjatë konfliktit 12-ditor, Izrael-Iran, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kishte penguar përpjekjet e Izraelit për të vrarë liderin suprem 86-vjeçar të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili u fsheh për gati tre javë, por u shfaq në një ceremoni fetare në Teheran fundjavën e kaluar, një ngjarje që u prit me gëzim dhe lehtësim nga mbështetësit e qeverisë.

Ndërkohë, Izraeli pretendon se gjatë luftës 12-ditore ka vrarë më shumë se 30 zyrtarë të lartë të sigurisë dhe 11 shkencëtarë kryesorë bërthamorë, duke goditur rëndë ambiciet bërthamore të Iranit.

Në anën tjetër, si Pezeshkian, ashtu edhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, kanë qëndruar publikisht pa u fshehur, duke marrë pjesë në funerale brenda vendit dhe duke udhëtuar jashtë. Pezeshkian mori pjesë në një samit në Azerbajxhan, ndërsa Araghchi ka vizituar Brazilin, Egjiptin dhe Moskën.

Në intervistë me Carlson, raportohet se Pezeshkian gjithashtu ka thënë se:

“Ne nuk filluam këtë luftë dhe nuk duam që kjo luftë të vazhdojë në asnjë mënyrë.”

- Advertisement -