Donald Trump, ndonëse në rënie popullariteti në SHBA, rezulton të jetë lideri më me ndikim në Evropë. Ndërsa në vendin e tij po humbet terren për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe politikave të tij kundër emigracionit (ai vetë e pranoi për herë të parë dy javë më parë: “sondazhet e mia kanë rënë pak”), ai kryeson listën e personave më të fuqishëm në kontinentin e vjetër, të hartuar nga Politico Europe.
Në këtë listë, e përgatitur çdo vit nga gazeta në bashkëpunim me institutin Public First, vendi i parë i takon biznesmenit që, duket qartë, nuk ka nevojë të ulet në tryezat e Brukselit për t’i ndikuar ato: askush tjetër nuk do të kishte ndikuar më shumë se ai në vendimet e marra në kryeqytetet europiane. Si të thuash, Europa shihet më shumë si e ekspozuar ndaj agjendave të të tjerëve sesa si një aktor i aftë të ndikojë pjesën tjetër të botës.
Sondazhi online, që përfshiu mbi 10 mijë të anketuar nga SHBA, Kanadaja dhe tre ekonomitë më të mëdha europiane, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, tregon se europianët ndajnë mendimin e Trump se liderët e tyre janë të dobët dhe e konsiderojnë presidentin amerikan më vendimtar.
Paradoksi është se personi i konsideruar më i fuqishmi në politikën europiume… nuk është evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, renditet vetëm e shtata.
E dyta pas Trump, por e para ndër europianët, është kryeministrja daneze Mette Frederiksen, socialdemokrate me qëndrime të djathta për menaxhimin e kufijve: ajo mbështet ndalimin e kërkuesve të azilit dhe kthimet e përshpejtuara, në linjë me kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila renditet e nënta, pas sekretarit të NATO-s Mark Rutte, por para kryeministrit britanik Keir Starmer.
Në vend të tretë është Friedrich Merz, njeriu që, sipas politico.eu, po thyen tabutë e pasluftës në Gjermani. Ai është figura simbol e “rindërtimit” europian përballë kërcënimit rus, kancelari që, me një politikë masive riarmatimi dhe riaktivimin e shërbimit ushtarak, po udhëheq transformimin e Gjermanisë nga fuqi ekonomike në lider të mbrojtjes së një Evrope që tani detyrohet të mbështetet te vetja.
Në vend të katërt renditet Marine Le Pen, në pozicion të favorshëm pavarësisht dënimit që mund ta përjashtojë nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale franceze. Ajo është shumë përpara presidentit aktual Emmanuel Macron, i cili renditet vetëm i 19-ti: vetë votuesit e tij e shohin si një lider që deri tani nuk ka arritur të menaxhojë në mënyrë efektive presidentin amerikan, të paparashikueshmin Trump.
Para Macron është edhe Volodymyr Zelensky, i renditur i 14-ti. Ndërsa Vladimir Putin është i pesti: një përmbledhje shqetësuese e raporteve të forcës (të perceptuara) në kontinent.