Policia: Kadri Shala është dorëzuar, aktualisht po intervistohet

Kadri Shala, pronar i kompanisë “LDA Group”, ku shkuan rreth 2.1 milionë eurot e shtetit nga disa transaksione ilegale, sot është dorëzuar në Polici.
Policia e Kosovës ka pohuar për Express se Shala aktualisht është duke u intervistuar.
“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë do t’i ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Për herë të parë nga arratia, Kadri Shala u paraqit në mbrëmjen e së shtunës. Përmes vëllait të tij, ai kishte dorëzuar një letër të shkruar me dorë në redaksinë e Gazetës Express dhe Televizionit T7. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij. Ai ka thënë se kishte menduar që ka pranuar mjete nga kompanit1% që siç tha, i kishin atij borxhe.
Shala kishte shkruar se posa ka marrë këto para, kishte nisur t’i shlyente borxhet që ua kishte personave e kompanive të ndryshme.
Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.
Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Lexo edhe205 rastet e reja me COVID-19 janë nga këto komuna të Kosovës
Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.
Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.
Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala. /GazetaExpress/













