Dëshmitari Halim Behramaj, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin për rastin Banjska, tha se vendi ku ndodhi sulmi dhe mungesa e ndriçimit në fshat bënë që ata të kuptojnë se kishin të bënin me një grup të mirëorganizuar dhe të armatosur rëndë.
“Pozita ku ka qenë e vendosur, errësira e plotë në fshat na ka bërë të kuptojmë që është një grup i mirëorganizuar. Qëllim ka pasur që të bëjë dëm sa më të madh”, tha Behramaj.
Ai rrëfeu se ka shërbyer si polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë për pesë vjet dhe se mëngjesin e 24 shtatorit 2023 ishin njoftuar për një barrikadë në fshatin Banjskë nga një njësi kufitare.
“Rreth orës dy përmes një njësie kufitare kanë lajmëruar se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë. Dy njësi kanë shkuar në vendngjarje. Pas disa minutash së bashku me kolegun Avni Shala kemi vazhduar përpara tyre. 500-600 metra pa hyrë në fshatin Banjskë e kishin ndalur një veturë, pasi e kontrolluam vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura, vetura e dytë ka qenë rreshteri Afrim Bunjaku, Elez Peci, kurse vetura e tretë kam qenë unë dhe Avni Shala”, tha ai.
Behramaj tregoi se si kishte ndodhur përballja e parë me barrikadën.
“Pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, vetura e parë është ndalur afër barrikadës, vetura e dytë dhe vetura jonë afër 30 metra larg barrikadës. Te barrikada ka qenë edhe një veturë e njësisë kufitare Toyota, jemi dalë nga vetura, policët që kanë qenë në veturën e parë kanë arritur te barrikada. Ne jemi afruar 15 metra afër barrikadës. Polici Elez Peci na ka tërhequr vërejtjen se mund të jetë kurth dhe kemi filluar që të shpërndahemi. Vendi ku ka qenë barrikada dhe ku ishim ne ishte ndriçim i plotë. Ndërsa në fshatin Banjskë ishte errësirë totale. Posa kanë filluar që të shpërndahemi në atë moment është dëgjuar një shpërthim i madh”, tha ai.
Sipas dëshmisë së tij, menjëherë pas shpërthimit kanë nisur edhe të shtënat:
“Policët që kanë qenë më afër barrikadës janë barrikaduar afër barrikadës. Ndërsa unë dhe Avni Shala jemi kthyer prapa veturës sonë dhe jemi barrikaduar prapa veturës tonë si mburojë. Në të njëjtën kohë ka pasur të shtëna me armë të ndryshme. Kemi kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal, pasi pozita ku qëlluam na bëri të kuptojmë që është një grup i mirëorganizuar”, tha ai.
Behramaj tha se ka parë rreshterin Afrim Bunjaku të shtrirë në rrugë, por që për shkak të terrenit nuk kanë mundur të afrohen.
“E kam vërejtur që rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë. Ne ishim 30 metra larg dhe terreni ishte i pamundur që të afrohemi. Të shtënat vazhdonin pandërprerë në drejtim tonin. Kemi parë kolegët e tjerë duke e larguar rreshterin dhe me një veturë e kanë dërguar për në Mitrovicë”, tha ai.
Ai shtoi se më vonë edhe policët tjerë janë tërhequr me një autoblindë të një njësie për reagim të shpejtë, ndërsa ai vetë ka hipur në autoblindën që kishte ardhur nga njësia e Ferizajt.
“Gjithashtu nga fshati Zvor është ardhur një autoblindë e njësisë së shpejtë të Ferizajt, unë kam hyrë me atë autoblindë, Avniu ka marrë veturën dhe ka vazhduar për në Zveçan”, tha ai.
Behramaj tha se nga zhurma e armëve kishin kuptuar se ishin përdorur armë nga kalibra të ndryshëm dhe të rënda, ndërsa theksoi se kjo përvojë ka qenë e pazakontë në karrierën e tij 21-vjeçare si polic.
“Në bazë të armëve të përdorura nga zhurma kemi mundur të kuptojmë që kanë qenë nga kalibra të ndryshëm. Ka pasur gjuajtje me armë më të rënda. Natyra e punës si polic është e tillë, ballafaqohemi me rreziqe të ndryshme. Dëmtim i madh për ne ka qenë që është vrarë Afrim Bunjaku. Unë nuk ndihem i dëmtuar personalisht. 21 vjet përvojë pune në polici, raste të tilla nuk kam hasur gjatë karrierës time”, tha Behramaj.