Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, katër persona të dyshuar me inicialet: A.S., L.V., Sh.L., dhe L.K., për shkak të dyshimit të veprave penale “Vrasja në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Pjesëmarrja në rrahje” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas informatave të para, rasti ka ndodhur më 21.07.2025, rreth orës 00:52, në fshatin Doganaj të komunës së Ferizajt, ku është raportuar një rast i gjuajtjes me armë zjarri dhe si pasojë dyshohet se dy persona janë lënduar me armë zjarri.
Dy personat e lënduar pas dhënies së ndihmës së parë nga Emergjenca e Ferizajt janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Ndërsa, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura të dyshuara, dy armë, gjashtëmbëdhjetë (16) gëzhoja dhe një (1) predhë që dyshohet të jenë shkrepur nga armët e përdoruara në këtë rast.
Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti./IndeksOnline/