Pjesë e një organizate kriminale, arrestohen dy vëllezër në Divjakë, të dënuar me burg në Itali

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 64”, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka arrestuar dy shtetas të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.
Të arrestuarit janë Roland Metushi, 47 vjeç, dhe Saimir Metushi, 45 vjeç, të dy banues në Divjakë dhe vëllezër me njëri-tjetrin. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Novarës në Itali, që në tetor të vitit 2024 i ka dënuar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” – Saimir Metushi me 7 vite burgim dhe Roland Metushi me 5 vite.
Operacioni u zhvillua pas sigurimit të informacionit të saktë për vendndodhjen e tyre. Arrestimi u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Lexo edheLushnjë/ Ndoti ambientin dhe kanalin e fshatit, nën akuzë pronari i baxhos!














