Picula nuk sheh shpresë për ndryshim në Serbi: Beogradi vazhdon me narrativën e viteve ’90
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka vlerësuar se reagimet e Beogradit ndaj Rezolutës për Vukovarin nuk japin shpresë se Serbia do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve të luftërave të viteve ’90.
Picula tha se kundërshtimet ndaj rezolutës, të cilat vijnë nga një grup studentor në Serbi, janë domethënëse, pasi përfaqësojnë qëndrimet e krahut politik që fitoi zgjedhjet dhe tashmë po formon qeverinë e re.
Studentët që kundërshtojnë rezolutën kanë argumentuar se teksti nuk i merr parasysh vuajtjet e popullit serb. Sipas Piculës, reagimet nga Beogradi nuk dallojnë nga interpretimet e mëparshme të ngjarjeve të viteve ’90, të cilat, siç tha ai, dëgjohen prej vitesh.
“Ajo që kemi dëgjuar lë pak shpresë se së shpejti do të ketë një ndryshim në mënyrën se si interpretohen ngjarjet që ndodhën në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, deklaroi Picula.
Ai shtoi se mbetet të shihet nëse qeveria e re serbe do të ketë kapacitetin të shkëputet nga një politikë, rrënjët e së cilës datojnë që nga vitet ’80.
Lexo edheLajm i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës që jetojnë në Itali
Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Picula tha se ajo përcjell një mesazh të qartë kundër politikave agresive dhe autoritare, të cilat përmes projekteve për krijimin e “shteteve të mëdha” kërcënojnë paqen dhe bashkëpunimin.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së Ukrainës në tekstin e rezolutës, duke e cilësuar të lehtë krijimin e paraleleve mes atyre që mbrojnë vendin e tyre nga agresioni dhe pushtimi.
“Është e rëndësishme që këto politika të identifikohen me kohë”, përfundoi Picula.




