Haxhiu nga Kazerma “Adem Jashari: Synojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se është krenari të shihet fuqizimi i vazhdueshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), veçanërisht përmes pajisjes me armatim të ri.
Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Haxhiu ka kujtuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se uniforma e ushtarëve të sotëm ua kujton ata që shërbyen me devotshmëri për lirinë e vendit.
“Sigurisht që është krenari për sa kohë pamë që ushtria jonë në vazhdimësi po fuqizohet me armatim. Por kur shohim vajzat dhe djemtë, të ushtrisë tonë, teksa mbajnë të veshur uniformën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, natyrisht që na shkon mendja tek ata që shërbyen me devotshmëri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata që u bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që, fatkeqësisht, sot nuk mund ta shohim se sa e fortë është ushtria jonë, pra sa e fortë është ushtria e Republikës së Kosovës. Ishte krenari po ashtu që të shohim fëmijët teksa me ëndje, me dashuri, me respekt i shihnin ushtarët tanë, sigurisht që ndoshta shumë prej tyre në të ardhmen do të shërbejnë në ushtrinë e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Ajo ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e ushtrisë, me synimin që Kosova në të ardhmen të bëhet pjesë e NATO-s.

Lexo edheIsa Mustafa: Askush nuk mund ta marrë rolin e hetuesve dhe prokurorëve për vrasjet e pasluftës
“Si institucionet e Republikës së Kosovës, për sigurinë e fëmijëve, për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, për brezat që po vijnë, do të vazhdojmë angazhimin që ta forcojmë ushtrinë tonë, e që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e NATO-s, pikërisht krah aleatëve, partnerëve që bashkërisht me ne e kanë zhvilluar historinë e Republikës së Kosovës. Nderim dhe respekt të gjithë atyre që dhanë jetën, që sot ne jemi shtet i pavarur e të jemi të lirë, e po ashtu më lejoni që të uroj Ditën e Forcës, pra 27 nëntorin, por edhe 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit”, shtoi ajo.
Haxhiu i bëri këto komente në kuadër të aktiviteteve të organizuara për shënimin e Ditës së Forcës së Kosovës.



