BallinaLajmePërvjetori i masakrës në Lubizhdë të Hasit, Kurti: Kujtesë e krimeve të...

Përvjetori i masakrës në Lubizhdë të Hasit, Kurti: Kujtesë e krimeve të rënda dhe spastrimit etnik

Të ngjajshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës në Lubizhdë të Hasit, duke e cilësuar atë si një ndër krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim përkujtimor, Kurti rikujtoi ngjarjet e 12 prillit 1999, kur forcat serbe rrethuan banorët civilë dhe kryen krime të rënda ndaj tyre.

“Si sot, 27 vite më parë, më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, i rrethuan malet ku ishin strehuar shumë nga banorët e fshatit Lubizhdë të Hasit. Pasi i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre, ushtarët serbë filluan t’i torturonin teksa i radhitën në rresht për t’i pushkatuar,” ka shkruar ai.

Kreu i ekzekutivit theksoi se të mbijetuarit kanë dëshmuar për përmasat e krimit, duke e përshkruar atë si të organizuar nga shteti serb.

“Të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë rrëfyer pastaj barbarinë e këtij krimi shtetëror të Serbisë ndaj banorëve të Lubizhdës së Hasit, përshkuar nga ekzekutime të planifikuara, tortura, malltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim pronash,” thuhet në postim.

Sipas tij, gjatë atyre ditëve të prillit 1999, nga fushatat e spastrimit etnik u vranë dhjetëra civilë shqiptarë, ndërsa ranë edhe luftëtarë të UÇK-së në mbrojtje të popullatës.

“Gjatë atyre ditëve të mesit të prillit të vitit 1999, nga fushatat kriminale të spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ndërkaq, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve, ranë dëshmorë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” ka theksuar Kurti.

Ai nënvizoi rëndësinë e sakrificës për liri dhe shtetndërtim.

“Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë vlerë sublime në themelet e lirisë së popullit dhe shtetndërtimit të republikës sonë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e atdheut!” shtoi Kurti.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz