Përvjetori i botimit të “Alfabetares së gjuhës shqipe”

Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latinë, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke, e pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.
Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar, prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.
Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia.

Lexo edheDëshira e pashprehur: Shkrimi i fundit i Agollit, pak para vdekjes (Foto)
Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare. Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut.
Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. /Telegrafi/














