Përplasjet në mes të deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të Partisë Social Demokrate nuk po ndalen. Ishte deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj që akuzoi ish-kolegun e tij partiak, Glauk Konjucfën e VV-së, se kishte qenë pjesë e SHIK-ut, e për këtë kishte thënë se do të prezantonte edhe fakte. Njëjtë Molliqaj u deklarua edhe mbrëmë në DPT në T7. Konjufca në anën tjetër ka paditur ish-kolegun e tij për shpifje. Sot në ora 10:00, pritet të mbahet seanca e radhës e deputeti i PSD-së, ka thënë se sot do të prezantojë faktet, shkruan Gazeta Express.
Derisa në Kuvend të Kosovës po diskutohej për Dialogun me Serbinë, debati kishte përplasur deputetët e PSD-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, saktësisht Dardan Molliqajn e Glauk Konjucën.
Molliqaj gjatë një polemike e kishte akuzuar Konjufcën se kishte qenë për një vit anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), ish-organ i zbulimit i afërt me PDK që zyrtarisht pushoi së operuari në qershor të vitit 2008.
“Meqë Glauku flet për sinqeritet e ftoj atë me marrë guximin e me kallxu qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK. Unë e kam marrë vesh prej Glauk Konjufcës. Kur ka qenë Glauku në ShIK nuk ka qenë në VV. Problem është se nuk ka pasë guxim me thënë që ka punu në ShIK”, tha Molliqaj.
Për këto deklarata, shefi i grupit parlamentar të VV-së kishte dorëzuar një padi për shpifje.
“Ai (Molliqaj) ka thënë publikisht që unë duhet ta demantoj. Unë jo që po e demantoj, por po e padis dhe i bëj thirrje nga pallati i Drejtësisë që t’i publikojë krejt çka ka për SHIK-un dhe krejt çka ka për mua. Kjo ftesë është publike. Mezi po pres të përballem me të në gjykatë për pretendimet e tij. Unë nuk kam tjetër çka ofroj pos deklaratës së tij të shpifjes”, kishtë thënë Konjufca pasi e kishte dorëzuar padinë, raporton Express.
Përplasja në mes të dy deputetëve kishte vazhduar edhe nëpër studio televizive.
Molliqaj nuk hoqi dorë nga deklaratat që ka se çka të prezantojë në Seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, kjo sipas tij do të bëhej në seancën e 12 prillit, pra sot. Deputeti i PSD-së, mbrëmë në emisionin DPT te Fidani në T7 tha se sot është dita kur do të prezantonte faktet.
“Nesër nëse mbahet seanca, unë do t’i shpalosi faktet se Glauk Konjufca ka qenë pjesë e SHIK’ut. Në pikën për deklarime publike do të tregojë atë që është e vërtetë. Në deklarime publike unë nuk them gjëra të pavërteta. Kemi hy me një debat që unë nuk e kam zgjedh. Por, meqë kjo po ndodh unë tash duhet ta them të vërtetën. E vërteta do të dalë nesër në shesh”, tha Molliqaj mbrëmë në T7, duke shtuar se Konjufcën nuk do ta shpëtojë askush nga e vërteta se ka qenë pjesë e SHIK’ut.
“Nga kjo e vërtetë Glaukun nuk do ta shpëtoj as Kadrushi e as Burdushi”, tha ai.
Dardan Molliqaj, bashkë me 11 deputetë të tjerë të VV-së që nga fillimi i vitit të kaluar kanë formuar PSD-në duke u ndarë nga Vetëvendosje./GazetaExpress