Arbërie Nagavci: LVV-ja do t’i mbështesë ndryshimet në Ligjin për Specialen

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se çështja që po diskutohet sot në Kuvend është dashur të zgjidhej që në vitin 2015, kur, sipas saj, është dashur të kishte më shumë largpamësi për pasojat.
“Ne si LVV ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara dhe kundër jemi edhe sot”, tha Nagavci.
Ajo kujtoi se ligji për themelimin e Speciales ishte miratuar nga shumica parlamentare e asaj kohe.
“Nuk po e përmendim këtë për t’u ndarë, por nuk mund të mos e kujtojmë”, tha ajo, duke e cilësuar reagimin 11 vjet më vonë si të vonuar.
“Në e shikojmë kundër krijimit të Dhomave të Specializuara. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë Gjykatë Speciale. Kemi menduar atëherë dhe mendojmë edhe sot se çdo dyshim për vepra penale të kryera nga individë duhej të hetohej dhe gjykohej brenda sistemit të rregullt të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Drejtësia ishte e domosdoshme, ndërsa një sistem i veçantë drejtësie për Kosovën, ku do të gjykohej lufta, sipas nesh nuk kishte”, u shpreh ajo.

Lexo edheGërvalla dhe Geci mungojnë në seancën ku pritet të votohet ligji për Specialen
Nagavci tha se, megjithatë, nëse ata që e kanë mbështetur krijimin e kësaj gjykate në vitin 2015 tani kërkojnë ndryshimin e ligjit, VV-ja do ta përkrahë këtë nismë.
“Megjithatë, nëse ata që e mbështetën këtë zgjidhje më 2015, sot kërkojnë ta ndryshojnë ligjin, ne do ta mbështesim këtë përpjekje”, tha Nagavci./Lajmi.net/












