Albin Kurti paralajmëroi “përpjekje” për t’u takuar me Bedri Hamzën, pasi u takua me Lumir Abdixhikun për të diskutuar për çështjen e Presidentit. Kryeministri dhe kryetari i LVV-së u shpreh optimist për një marrëveshje politike me kryetarin e LDK-së, ndërsa pati vërejtje për qasjen e PDK-së, e cila po pret një letër zyrtare ku “konkretizohet iniciative e re” e Kurtit. Më pas, ajo letër, siç kanë paralajmëruar, “do të shqyrtohet në organet e partisë”.
Gazeta Express
Kryeministri Albin Kurti iu kthye diskutimeve për Presidentin. Këtë herë, të parin për takim e ftoi kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
S’arritën ndonjë marrëveshje, ndonëse Kurti pas takimit tha se është optimist se do ta arrijnë këtë, por kërkoi “jo 80-81, por 84-85” vota në Kuvend, në mënyrë që të jenë “komodë” se zgjedhja e shefit të ri të shtetit s’do të dështonte. Abdixhiku ndërkaq tha se të tri pozitat kryesore s’mund t’i takojnë një partie të vetme, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit.
Kurti tha se do të “përpiqet” të takohet dhe të diskutojë për këtë çështje edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën.
“Do të përpiqem që të takohem edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për shkak se Presidenti nuk do të jetë, jo vetëm i një partie, por as i dy partive. Presidenti është shprehje e unitetit të popullit”, tha ai, por paraprakisht renditi disa vërejtje për qasjen e PDK-së, e cila, para se çështja të ndalej te shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese, kishte kërkuar që propozimi për President të vijë nga ta.
“PDK-ja asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh. Ajo vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër. Pra, absolute që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të verbër që të mos na e tregojnë paraprakisht. Si subjekt demokratik që jemi, me statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, me mua si kryetar i saj, kjo e bën të pamundur marrëveshjen, prandaj uroj që në komunikimet dhe në takimet në vijim me kryetarin e PDK-së kjo të ndryshojë, sepse nuk mund të ketë marrëveshje politike për Presidentin e ardhshëm, përderisa nuk e thua asnjëherë, askujt, asnjë emër”, tha Kurti.
PDK-ja tha se kryetari Bedri Hamza “i ka kthyer përgjigje z.Kurti lidhur me ftesën për takim”.
“Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, thuhet në një përgjigje të PDK-së.
Çdo zhvillim të mëtejmë rreth kësaj çështjeje, PDK-ja tha se do ta trajtojë në përputhje me procedurat e brendshme partiake.
Gjykata Kushtetuese vendosi më 25 mars që Presidenti të zgjidhet në një afat prej 34 ditësh, duke e shpallur pa efekt juridik një dekret të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u bë të shtunën ushtruese e detyrës së Presidentes – detyrë që mund ta ushtrojë maksimumi 6 muaj – ndërsa Vjosa Osmani përfundoi mandatin e saj pesëvjeçar si Presidente.
Mundësia që Osmani të rizgjidhej presidente duket se u hodh përfundimisht poshtë më 5 mars, kur partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se për shef të shtetit e kishin propozuar Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme.