Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate po kërkojnë rinumërimin e të gjitha kutive të votimit në nivel vendi.
Këto subjekte kanë paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërim të kutive të votimit raporton Gazeta Blic.
Betim Gjoshi, përfaqësues i PDK-së në KQZ ka thënë për “Gazeta Blic” se kanë dërguar dëshmi në PZAP se janë bartë votat nga PDK-ja tek subjektet e tjera sidomos minoritetet.
“Na kemi kërkuar me na u kthye rezultati zgjedhor, kjo për arsye të defekteve që ka pasur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë një rubrikë mangët dhe na janë bartë votat tek subjektet e tjera sidomos minoritare. Kemi kërkuar me na u kthy rezultati në nivel vendi. Kemi kërkuar ose rinumërim ose kthim rezultati përmes procedurave që janë rreth numërimit dhe rezultatit”, tha ai.
Edhe zëdhënësi për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa, ka konfirmuar diçka të tillë.
“Nga 840 mijë vota janë 40 mijë vota të pavlefshme dhe prandaj kemi kërkuar rinumërim të votave” ka thënë shkurt Mustafa.
Ndërsa anëtari i Kryesisë Qendrore të NISMA-së Socialdemokrate, Xhevdet Smakiqi në një përgjigje për “Gazeta Blic” ka theksuar se ka patur një defekt teknik me formularët nga KQZ-ja dhe për këtë arsye kanë bërë ankesë në PZAP.
“Koalicioni NISMA-AKR-PD ka ushtruar rreh ankesa që janë të regjioneve të ndryshme dhe vendvotimeve të ndryshme. Gjithashtu kemi ushtruar një ankesë që ka të bëjë me një lëshim teknik por që ka efekte të mëdha në saktësinë e numërimit të votave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është fjala për një formular që KQZ ka lëshuar në përdorim. Në kemi jemi ankuar tek PZAP, që KQZ ta pezullojë numrin e votave për shkak të këtij formularin me defekt dhe të bëhet rinumërimi i të gjithë votave në nivel vendi” ka thënë Smakiqi.
Ndryshe, pas numërimit të 98.47 për qind të votave, PDK-ja është e treta në renditje me 21.25 për qind apo 167402 vota. VV-ja prin me 25.51 për qind, ndërsa LDK-ja ka 24.82 për qind.